Qytetarët shqiptarë do të paguajnë nëpërmjet taksave të tyre në buxhetin 2020 mbi 14.6 miliardë lekë (rreth 120 milionë euro) si pagesa për 14 kontratat koncensionare me PPP. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave kjo shumë është 15.8 për qind më e lartë se pritshmëria e këtij viti.

Pagesat më të larta do të bëhen ndaj kontratës PPP për ndërtimin e rrugës së Arbrit, ku në vitin 2020 qeveria do të paguajë 3.9 miliardë lekë ose rreth 50 për qind më të lartë se të këtij viti.

Koncesioni i dytë më pagesën më të madhe është ai i sterilizimit në sallat e operacionit, ku janë programuar të paguhen rreth 1.6 miliardë lekë, një shumë e njëjtë si këtë vit. Por sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor pagesat ndaj kësaj kontrate vitin e kaluar ishin mbi 2 miliardë lekë për shkak se janë bërë operacione më shumë se parashikimi.

Koncesioni i tretë më i madh që merr pagesat nga buxheti i shtetit, është shërbimi i skanimit në dogana me rreth 1,5 miliardë lekë, i nënshkruar nga qeveria Berisha që në vitin 2013. Pagesat për këtë koncesion janë të njëjta me ato të një viti më parë.

Pagesat për koncesionin e rrugës së Kombit do të rriten me mbi 5%. Sipas ministrisë së Financave vitin që vjen përveç taksave direkte në rrugë, kompania që menaxhon mirëmbajtjen do të marrë nga buxheti i shtetit edhe 720 milionë lekë ose rreth 6 mln euro, nga 680 milionë lekë që pritet të paguhen këtë vit.

Këtë vit del nga lista e koncesioneve financimi i infrastrukturës mbështeste për lumin Devoll, me vlerë 1.5 miliardë lekë, por nisin pagesat për tre koncesione të reja, konkretisht për PPP Milot-Balldren me 100 milionë lekë, Orikum -Dukat me 393 milionë lekë dhe koncesionin e shërbimit laboratorik me 1.2 miliardë lekë pagesa për vitin 2020.

nceneratori i Fierit dhe Elbasanit do të marrin respektivisht 752 dhe 661 milionë lekë njësoj sa vitin e kaluar. Gjithashtu koncesioni i check -up do të marrë financim prej 876 milionë lekësh njësoj sa viti i kaluar.

Për vitin 2020, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat konçesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2019, është rreth 21.97 miliardë lekë.

Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.

Ministria e Financave sqaron se në buxhetin 2020 është respektuar kufizimin ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal respektiv, pasi vlera e parashikuar prej 14.6 miliardë lekë për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2020, përbën vetëm 3.3 për qind të totalit të të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2019, prej rreth 439.3 miliardë lekë.

Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.

Pagesat e pritshme për 2019

Aktualisht, janë aktive 13 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP)
Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2019, me destinacion mbështetjen nga buxheti për kontratat konçesionare/PPP, janë në total 12.44 miliardë lekë.

Nga këto, rreth 6.38 miliardë lekë janë investime dhe 6.06 miliardë lekë shpenzime korente.
Kundrejt faktit të vitit 2018 që kapi vlerën 8.76 miliardë lekë, plani 2019 rezulton 42% më i lartë ose rreth 3.68 miliard lekë më shumë.

Pagesat faktike në total për 9-mujorin 2019, rezultojnë 10.22 miliardë lekë ose 82.1% e planit vjetor 2019. Nivelin më të lartë të pagesave e ka shënuar muaji Janar me 2.9 miliardë lekë nga të cilat 2.52 miliard lekë është pagesa për kontratën e MIE “Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit”, specifikisht për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e kësaj kontrate.

Krahasuar me pagesat faktike për 9 mujorin e vitit 2018, të cilat arritën nivelin rreth 6.4 miliardë lekë ose 79.3% e planit vjetor 2018, realizimi 9 mujor i vitit 2019 rezulton në masën rreth 3.8 miliard lekë më shumë ose 60 për qind më i lartë.

Tabela e koncesioneve

/Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re