Këshilli i Ministrave ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2021, duke përcaktuar si prioritete kryesore rindërtimin dhe shëndetësinë. Qeveria ka vendosur të rrisë shpenzimet, teksa pritet të dyfishohen pagesat për 13 koncesionet që marrin para nga buxheti i shtetit.

Gjatë një interviste në “Ilva Now” në Euronews Albania, eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa e cilësoi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm si “tërësisht elektoral”. Sipas tij, projeksionet e bëra nga institucionet financiare janë euforike, dhe nuk suportohen dot nga vetë kushtet ku ndodhet sot ekonomia shqiptare.

Ai u shpreh se të ardhurat e vitit 2021 janë parashikuar të jenë aq sa në vitin 2018, tregues ky, që për z. Xhepa tregon gjendjen reale të Shqipërisë.

“Është buxheti me elektoral që kam lexuar ndonjëherë në të gjitha eksperiencat e mia individuale, sepse të ardhurat e vitit 2021 janë parashikuar të jenë sa në 2018, ndërkohë shpenzimet publike janë më të lartë se ndonjëherë. Projeksionet që janë bërë janë shumë euforike. Unë e shikoj si një dëshirë elektorale. Ndoshta për të hapur disa punë më shumë, por pa i financuar. Unë them se vitin e ardhshëm nuk shikoj se do kemi bum të rëndësishëm, nuk do kemi investim, por rruga që shoh unë është thellimi i borxhit publik. Nga ana tjetër unë shikoj se meqë zgjedhjet janë në prill, rishikimi i buxhetit që do bëhet në vitin korrik, nga cilido parti që vjen në pushtet, them se do ta rishikojë, dhe do të vijë me këmbë në tokë”, tha Xhepa.

Gjithashtu, eksperti Selami Xhepa u ndal tek një problematikë tjetër, që vërehet në ekonominë shqiptare. Ai u shpreh se nisur nga këto projeksione, borxhi publik rrezikon të tejkalojë mbi 100 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

“Rreziku i borxhit publik, që thashë se do të shkojë mbi 100 % të PBB-së, do të thotë e kostot e shërbimit të borxhit do të rritet. Jam i sigurt se agjencitë e renditjes sa i takon rrezikut të një vendi për kredimarrjen do rriten, dhe për pasojë kreditorët e huaj do të kërkojnë një çmim më të lartë për rrezikun e kredisë. Në një vend që të ardhurat janë sa në 2018, duhet të parashikojmë që të rrisim shpenzimet korrente. Ky është një buxhet thellësisht elektoral. Ne nuk e dimë se si do ecim këtë muaj”, tha ai.

Eksperti i ekonomisë theksoi se qeveria duhet të mendojë një paketë tjetër mbështetëse për grupet sociale në nevojë, të cilat sipas Xhepës, ndodhen në vështirësi të madhe për shkak të mungesës së aktivitetit.

“Gjendja sociale e vendit kërkon një përpjekje të sforcuar, jemi ekonomi e dobët, por duhet patur në konsideratë që njerëzit kanë qenë pa aktivitet dhe ekonomia e tyre ka qenë e rënduar. Unë mendoj se për grupet në nevojë të bëhet një tjetër mbështetje”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re