Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes dy qyteteve, e cila pritet të mbështesë dhe ndihmojë në trajnimin e punonjësve të administratës së Bashkisë së Kukësit, lidhur me projektet për grante nga organizatat e huaja.

Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se me pak ndihmë nga Shoqata e Bashkive, Kukësi do të mbërrijë aty ku prit.

Ai theksoi se shumë bashki të tjera, më të vogla, të Shqipërisë, e kanë kapur ritmin dhe kanë mësuar si aplikohet, duke shtuar buxhetet.

“Më vjen mirë që lidhim këtë marrëveshje mes dy qyteteve tona. Jemi mësuar ta shohim Bashkinë e Tiranës të ndihmojë me të drejtë Tuzin, Preshevën e Bujanocin, sepse kanë nevojë për mbështetje, por ndërkohë kemi edhe motrat e vëllezërit tanë brenda trojeve shqiptare. Jam i bindur se me pak ndihmë nga ne, pak ndihmë nga Shoqata e Bashkive, do të mundemi ta çojmë Kukësin aty ku e ka vendin. Ne do të japim një kontribut maksimal, jo vetëm për të trajnuar stafet, por sidomos për të parë se si aftësia jonë për të thithur fonde, sidomos nga fondet IPA, fondet e BE, fondet rajonale, të transmetohet edhe në Kukës. Shumë bashki të tjera, më të vogla, të Shqipërisë, e kanë kapur ritmin dhe kanë mësuar si aplikohet, duke shtuar buxhetet”, tha Veliaj.

Ai ftoi Bashkinë e Kukësit që të bëhet pjesë e Paradës së Shqiptare në 28 Nëntor, në 111 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë.

“Presim që data 28 Nëntor të jetë bashkëpunimi ynë i parë, duke pritur këtu Ansamblin e Kukësit, me kostumet e tyre tradicionale. Sa më shumë ingranohemi në aktivitete të përbashkëta dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin për t’u rritur së bashku, aq më mirë do të jetë. Nuk besoj se ka një histori suksesi që të jetë i ndarë nga realitete të tjera. Suksesi yt është edhe suksesi ynë. I yni, gjithashtu edhe i yti. Kështu që, nëse i lidhim fatet tona, do të bëjmë punë të mrekullueshëm”, shtoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për gatishmërinë e shprehur për të ndihmuar Kukësin.

“Jam shumë i lumtur që, shembullin e Bashkisë së Tiranës ta sjellim edhe në Kukës, për një bashki të suksesshme, si një kryetar me inovacion të madh, që ka dhënë prova dhe kontributin për zhvillimin e bashkive dhe zhvillimin sa më shumë të kombit shqiptar, Tiranës dhe mbarë viseve shqiptare. Bashkëpunimi do të jetë i ndërsjelltë, në vazhdimësi dhe në kontakt të vazhdueshëm mes bashkive tona”, u shpreh Halilaj.

Deputeti i PS, Pandeli Majko tha se Bashkia e Kukësit ka interes për të mësuar nga më të mirët.

“Firmosja e kësaj marrëveshje është një shembull dhe bashkëpunimi do të jetë shumë efikas. Kryetari i Bashkisë, Prefekti, Kryetari i Qarkut, kanë vetëm një ambicie: ta bëjnë Kukësin më të mirë, dhe besoj se sot kemi ardhur për të mësuar nga më të mirët”, tha Majko.

Qëllimi i marrëveshjes është bashkëpunimi administrativ midis Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Kukësit, për nxitjen e organizimeve, aktiviteteve të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, për mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm dhe forcimin e marrëdhënieve administrative, trajnimin e administratës dhe angazhimin në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e artit, kulturës, sportit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re