Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka miratuar vendimin për rikonstruksionin nga e para të tre fushave të përmasave standarde në Orikum dhe në Divjakë në bashkëpunim dhe në bashkëfinancim 50% me 50% me njësitë vendore të këtyre qyteteve.

Më konkretisht, është vendosur të bëhet një ndërhyrje rrënjësore në fushën ku luan ndeshjet skuadra e KF Orikut, duke filluar që nga fusha e re me bar articial e për të vazhduar me sistemin e rrethimit.

 

Një investim që kap vlerën e 200 mijë eurove në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë e që do t’ia ndryshojë totalisht fytyrën kësaj fushe, duke e kthyer në një ambient cilësor që do ta ndihmojë këtë klub për krijimin e kushteve të duhura për të gjitha ekipet e moshave.

 

Po ashtu, në të njëjtin vendim është miratuar rikonstruksioni i plotë i dy fushave në Bashkinë e Divjakës me po të njëjtën skemë financimi me FSHF-në. Bëhet fjalë për dy fusha standarde ekzistuese, me njërën që ndodhet në qytetin e Divjakës ndërsa e dyta në njësinë administrative Tërbuf, Çermë Sektor.

 

Kostoja e këtyre dy fushave do të jetë rreth 300 mijë euro, me njërën prej tyre që do të jetë më bar natyral, teksa është për t’u theksuar se me këtë investim do t’i jepet një hov cilësor futbollit në këto dy qytete.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re