Në një vendim të marrë sot, Këshilli i Ministrave miratoi shpronësimin e pronarëve që preken nga realizimi i projektit “Auto-Moto Park” në Bashkinë Elbasan, një projekt i rëndësishëm që synon të sjellë Formula 1 në Shqipëri si dhe zhvillimin e infrastrukturës për transportin rrugor në këtë zonë.

Sipas vendimit të qeverisë, shpronësimi i pasurisë do të bëhet për interes publik dhe do të financohet nga buxheti i shtetit, përmes llogarisë “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shpronësimit është 347,372,260 lekë, ndërsa shpenzimet procedurale janë parashikuar në 70,000 lekë dhe do të mbulohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Afati përfundimtar i procesit të shpronësimit është tre muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, që do të bëhet menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Projekti ambicioz në Elbasan është trumbetuar shpesh edhe nga kryeministri Rama, për shkak të marrëveshjes me FIA për të sjellë në Shqipëri për herë të parë një garë të prestigjiozes Formula Uno.

VKM: 

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “AUTO – MOTO PARK”, BASHKIA ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Auto – Moto Park”, Bashkia Elbasan.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

3. Pronarët e pasurisë të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 347 372 260 (treqind e dyzet e shtatë milionë e treqind e shtatëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 347 372 260 (treqind e dyzet e shtatë milionë e treqind e shtatëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko