Investitori amerikan George Soros planifikon të dhurojë 1 miliard dollarë në universitete për të forcuar demokracinë dhe për të arsimuar komunitetet e persekutuar, tha ai në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Soros dëshiron të lidh universitetet ekzistuese në mbarë botën, si përgjigje ndaj ngrohjes globale, lëvizjeve protestuese dhe tendencave politike.

“Vitin e kaluar, fuqitë më të forta – SHBA, Kina dhe Rusia – mbetën në duart e diktatorëve ose të atyre që duan të jenë diktatorë, dhe numri i drejtuesve autoritarë vazhdoi të rritet,” tha miliarderi 89-vjeçar, në një darkë që organizon çdo vit në Davos.

Universiteti i Evropës Qendrore (CEU), i themeluar dhe financuar nga Soros, do të jetë pjesë e rrjetit.

Soros iu desh të zhvendoste atë nga Budapesti në Vjenë vitin e kaluar, pasi Hungaria e drejtuar nga Viktor Orban, armik i Sorosit, e bllokoi ligjërisht atë.

Një pjesë e fondeve të Soros do të dhurohen për studentë refugjatë dhe të burgosur, studentë romë por dhe rohinga.

Soros është një kritik i politikanëve të tillë si presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri hungarez Viktor Orban, ndërkohë që ekstremi i djathtë e akuzon atë për mbështetje të migracionit të paligjshëm masiv në Evropë. Në këtë kuadër, nuk mungojnë dhe akuzat se ai po çon drejt islamizimit të Europës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re