Dy nga destinacionet më të frekuentuara në Jug të vendit do të pësojnë ndërhyrje në funksion të përmirësimit të lëvizjes si dhe shërbimeve që ofrojnë.

Një projekt i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit financuar nga Banka Botërore dhe qeveria shqiptare parashikon që të ndërhyhet në ndërtimin e qendrës së emergjencës, në Palasë, rehabilitimin e pjesës gurores në Dhërmi si dhe zonës së parkimit në Dhërmi.

Procedura e hapur në gusht është mbyllur tashmë në shtator dhe së fundmi Fondi bëri me dije se oferta fituese është ajo e kompanisë Gjikuria për një vlerë 112 milionë lekë përfshirë tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

“Qendra do të përfshijë funksionet e një qendre urgjence si ato të shëndetit, policisë, zjarrfikseve, kufitarët dhe një pikë për uljen e helikopterëve. Synimi i kësaj qendre është tu shërbejë qytetarëve dhe turistëve të zonës Joniane sidomos gjatë sezonit veror. Kjo qendër emergjence do të shërbejë përgjatë gjithë plazhit duke përfshirë Palasën, fshatin e Dhërmiut, Drimadhën dhe plazhin e Dhërmiut bashkë me zonat afër.

Qendra do të ndërtohet në krye për të pasur akses më të shpejtë çdo shërbim në qendër ka ndërtesën e saj. Arkitektura e qendrës do të respektojë terrenin dhe natyrën.

Pika e vëzhgimit do të vendoset në rrugën kombëtare Vlorë-Himarë mes zonës Gjilekë dhe fshatit Dhërmi.

Pika tjetër e rëndësishme e projektit është parkimi. Kjo parashikon rehabilitimin e gurores së vjetër në anën e djathtë të rrugës Vlorë – Himare menjëherë pas fshatit Dhërmi. Kjo zonë do të shndërrohet në një parkim publik i cili do të shërbejë për turistët dhe banorët e fshatit ku u ndërhy në funksion të rikonstruksionit fundmi” sqarohet në faqen e Fondit.

Në procedurën e prokurimit që tashëm ka një fitues që do të nënshkruajë kontratën dhe nisë zbatimin e projektit ishin pjesëmarrëse në total tre kompani dy prej të cilave janë s’kulifikuar.

E njëjta kompania, pra “Gjikuria” ka qenë edhe fituese e tenderit për segmentin rrugor “Orikum-Dukat”, me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtjeje gjithsej 50,552,441 euro.

Bashkë me TVSH-në, vlera totale e këtij tenderi arriti mbi 80 milionë euro, duke e bërë rrugën rreth 15 kilometra me një kosto prej 5,5 milionë eurosh për kilometër.
/Monitor.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re