Stacioni i radhës për prezantimin e projektit madhor të FSHF-së “Uniforma Ime”, që parashikon ofrimin e një seti me bazë materiale falas çdo fëmije që luan futboll në gjithë vendin, ishte qyteti i Fierit.

 

Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të këtij projekti që u zhvillua në ambientet e stadiumit “Loni Papuçiu” ishin Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, përfaqësues të Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier, trajnerë, futbollistë të vegjël dhe prindër të shumtë.

 

Projekti në fjalë është një iniciativë tejet vitale për zhvillimin e futbollit në vendin tonë, pasi Federata e Futbollit duke nisur që nga ky sezon do të garantojë për të gjithë fëmijët që luajnë futboll nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 veshjet pa asnjë pagesë. Një set konsiston në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

 

Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj theksoi rëndësinë e kësaj iniciative, që bazohet në një nga shtyllat e strategjisë së zhvillimit të futbollit që ka FSHF. Në fjalën e tij Dervishaj theksoi se masivizimi i futbollit dhe mbështetja e futbollit të fëmijëve janë në fokusin kryesor të FSHF-së dhe projekti “Uniforma Ime” do të ulë akoma më shumë kostot e fëmijëve që luajnë futboll.

 

“Dihet që për FSHF-në një nga shtyllat kryesore të strategjisë së lançuar vetëm pak muaj më parë ka qenë zhvillimi i futbollit të fëmijëve. Ashtu siç fëmijët janë e ardhmja e një kombi, dhe futbolli i fëmijëve është e ardhmja e futbollit shqiptarë. Pa këtë futboll fëmijësh ne nuk do të kemi ekipe të rriturish, nuk do të kemi një ekip Kombëtar cilësor. Bazuar në këtë  strategji Federata është fokusuar në tre drejtime, duke nisur nga krijimi i një infrastrukture sa më moderne për zhvillimin e stërvitjes dhe ndeshjeve të fëmijëve, dhe këtë e kemi lançuar më parë me projektin e 100 fushave që do t’i ndërtojmë në bashkëpunim me njësitë e pushtetit lokal brenda një 5-vjeçari. Gjithashtu, jemi përqendruar në një program për reformimin e rregullave të lojës dhe garave sa më adekuate, që po rishikohet nga një grup specialistësh pranë FSHF-së dhe tjetra është minimizimi i kostove që fëmijët kanë për t’u marrë me futboll”, – thotë Dervishaj, duke shpjeguar se të gjithë prindërit kanë shpenzime të konsiderueshme për çdo fëmijë që merr pjesë në futboll dhe për këtë arsye fokusi i Federatës ka qenë gjithmonë minimizimi i kostove dhe shkuarja drejt kostos zero të shpenzimeve për çdo fëmijë që do të luajë futboll.

 

Projekti më i ri i FSHF-së do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në mbi rreth 15.000 familje shqiptare, fëmijët e të cilëve merren me futboll. Dhënia falas e uniformave për të gjithë fëmijët që luajnë futboll, duke nisur nga sezoni i ri, pritet të ndikojë edhe në afrimin e më shumë djemve dhe vajzave në botën magjike të futbollit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re