Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri për sektorin e energjisë elektrike, i cili synon të ndryshojë mënyrën se si funksionon tregu energjetik në vend, duke i dhënë më shumë rol vetëprodhuesve të energjisë.

Sipas nismës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, qytetarët dhe bizneset që prodhojnë energji nga burime të rinovueshme si dielli, era apo sistemet hibride, nuk do të jenë më vetëm konsumatorë, por edhe shitës të energjisë së tepërt.

Kjo kategori do të njihet si “klient aktiv”, që do të ketë të drejtë jo vetëm të konsumojë dhe depozitojë energji të prodhuar në ambientet e veta, por edhe ta shesë atë tek konsumatorë të tjerë ose të marrë pjesë në tregun energjetik.

Projektligji parashikon gjithashtu që vetëprodhuesit të mund të blejnë dhe shesin energji sipas kushteve që do të përcaktohen më vonë me vendime të Këshillit të Ministrave.

Ndryshimet synojnë rritjen e përdorimit të energjisë së rinovueshme, uljen e varësisë nga hidrocentralet dhe krijimin e një tregu më konkurrues dhe transparent të energjisë elektrike.

Megjithatë, për konsumatorët familjarë nuk ndryshojnë kontratat aktuale, çmimet e rregulluara nga shteti dhe masat ekzistuese për pagesat apo ndërprerjet e furnizimit në rast mospagese.

Nisma vjen edhe si pjesë e përafrimit me direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e energjisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re