Është zbardhur kërkesa e ambasadores së Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann, mbi projektligjin e Partisë Socialiste për Lustracionin.

Christiane Hohmann, në letrën drejtuar kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, shprehet se nismat duhet të jenë plotësisht në përputhje me parimet dhe kriteret e Komisionit të Venecias.

“Nismat e lustracionit duhet të respektojnë standardet evropiane për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit dhe të përmbushin disa kritere kumulative”, shkruan diplomatja e BE-së.

Përmbajtja e letrës:

E nderuara zonja Bushka,

Po ju shkruaj në lidhje me dy nismat ligjore në rendin e ditës të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për datën 10 korrik: më konkretisht ndryshimet në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të zyrtarëve të zgjedhur, emëruar ose ushtrimin e funksioneve publike”, dhe ligjin nr. 8580/2000 “Për partitë politike”.

Siç e dini, në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i kushtojë rëndësi të madhe funksionimit të institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore në vend.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se në Shqipëri – si në shumë vende ish-komuniste – janë bërë përpjekje për të trajtuar trashëgiminë e saj komuniste përmes nismave të lustracionit, të cilat kanë qenë objekt debatesh publike dhe kushtetuese.

Siç është përshkruar në opinionet e vitit 2009 dhe 2018 të miratuara nga Komisioni i Venecias, sipas kuadrit të përgjithshëm të të drejtave dhe parimeve që qëndrojnë në bazë të sistemit të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nismat e lustracionit duhet të respektojnë standardet evropiane për të drejtat e njeriut dhe për sundimin e ligjit, dhe të plotësojnë disa kritere kumulative.

Në këtë kontekst, do të doja të sugjeroja që Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të sigurojë që nismat aktuale ligjore të jenë plotësisht në përputhje me parimet dhe kriteret kryesore të nënvizuara nga Komisioni i Venecias në opinionet e tij të përmendura më sipër dhe të përmbajnë të gjitha masat mbrojtëse të nevojshme.

43271853-a8c0-4209-ad2f-081242b8c141

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re