Eksperti për pushtetin vendor, Agron Haxhimali, ka komentuar ndryshimet e kompetencave të Prefektit të Qarkut duke i cilësuar si “fuqi e tepruar”.
Haxhimali u shpreh se me ndryshimet e parashikuara prefektit i shtohen një sërë të drejtash, e ndër to është edhe propozimi i shkarkimit të Kryetarit të Bashkisë, për të cilën tha se është e pa tolerueshme.
Sipas ekspertit, kjo e drejtë është një fuqi e tepruar që shkakton përplasej institucionale, pas mund të ndodh që “prefekti është i një partie tjetër dhe kryetari tjetër”.
“I shtohen një sërë kompetencash duke filluar nga e drejta për të propozuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë, është e pa tolerueshme. Prefekti është i një i emëruar, kryetari është i zgjedhur. Shkarkimi i një të zgjedhuri nuk është e thjeshtë, si mund ta shkarkosh dike që e kane votuar banorët. Ai ka në dorë propozimin, vendimin e ka gjykata. Edhe kjo e drejtë është një fuqi e tepruar që shkakton përplasej institucionale. Qytetarët nuk kanë për borxh të futen në këto çështje për interesa të ndryshme.
Kemi pasur raste në histori kur prefekti është i një partie tjetër dhe kryetari tjetër, dhe përplasjet politike mund të ndodhin”, tha ai.
Ndryshimet e propozuara synojnë të forcojnë rolin e prefektit të qarkut, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark. Domosdoshmëria e ndryshimeve ligjore, veçon relacioni, forcon rolin e Prefektit në qark për të mundësuar shërbime dhe qeverisje sa më pranë qytetarëve.
Por për ekspertët e pushtetit vendor disa nga kompetencat e reja që pritet t’i shtohen Prefektit të Qarkut, prevalojnë mbi ligjin aktual të vetëqeverisjes vendore ose në raste të caktuara mbivendosin autoritetin e Prefektit me autoritete të tjera.
Në projektligj është shtuar se një nga detyrat e Prefektit do të jetë të “propozojë pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.
