Komisioni për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione ka dërguar për shqyrtim të dytë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për liritë fetare në Kosovë, por ai rrezikon të mos kalojë në Kuvend pasi që kundër ka dalë Lista Serbe. E për miratim të tij nevojiten edhe votat e dy të tretave të deputetëve të pakicave.

Arsyeja pse partia serbe ka dalë kundër është mospranimi i disa amendamenteve të propozuara nga ajo. Ndër amendamentet e Listës Serbe, që janë refuzuar nga deputetët e tjerë të Komisionit, kanë qenë edhe propozimi që zëvendësdrejtori i Zyrës përkatëse për bashkësitë fetare, në kuadër të Zyrës së kryeministrit, që parashihet të themelohet me këtë ligj, të jetë nga komuniteti serb, shkruan Koha Ditore.

Kujtojmë se Kuvendi ,me 61 vota për, 4 kundër dhe 13 abstenime miratoi në parim këtë projektligj më 29 nëntor të 2017-tës.

Me ndryshimet që i janë bërë këtij ligji në shqyrtimin e parë, nga pesë bashkësi fetare në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e Besimit Hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore, i është shtuar edhe një bashkësi fetare, ajo e Tarikateve të Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re