Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha për projektligjin për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë, në rastet e lirimit para mbushjes së moshës së pensionit të pleqërisë, se qeveria shqiptare ka bërë një hap historik në përkrahje të Policisë Shqiptare.
Ky projektligj u diskutua në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend ditën e sotme.
“Ata persona që do të duhet të largohen nga radhët e Policisë për arsye të moshës dhe të pamundësisë fizike, për të shërbyer në struktura ku kërkohet edhe kondicion i lartë fizik do të mund të trajtohen me:
1) 50% të pagës neto në momentin e largimit;
2) Përfitimet që u njihen me legjislacionin për pensionet e parakohshme në Policinë e Shtetit.
Në trajtë kumulative, praktikisht ata do të vijojnë të trajtohen afërsisht me të njëjtën pagë, sikur të ishin në shërbim aktiv në radhët e Policisë. Dhe pikërisht për këtë arsye, atyre mund t’u kërkohet që të jenë në dispozicion për të shërbyer në funksion të Policisë së Shtetit deri në 700 orë pune në vit.”, shroi Lleshaj në facebook.
Sipas tij, “ky është një hap historik, prej të cilit nuk preket asgjë nga trajtimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, ndërkohë që kjo e fundit mund të përtërijë radhët e saj me oficerë të rinj dhe të arrijë një moshë mesatare si dhe Policitë e tjera moderne evropiane”.
Ai shtoi se në të njëjtën kohë, së shpejti qeveria do të miratojë një hap tjetër reformues, i cili do të hapë rrugë për transferimin e punonjësve të Policisë edhe në poste pune brenda administratës shtetërore, kur plotësojnë kriteret përkatëse të arsimimit.
Lleshaj ka edhe një mesazh për kritikuesit.”Për ata që kërcyen për të dhënë alarme të rreme, pa lexuar as projektligjin: Nuk mundet që në mëngjes të hakërreheni kundër “Narko-policisë” së “Narko-Shqipërisë” dhe në darkë të vajtoni për trajtimin e saj; që natën ta bombardoni me Molotov dhe ditën të përdëlleheni për fatin e saj. Jo! Kjo lojë e pa-principtë nuk ka kuptim.”.
Por për projektligjin reagoi edhe ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka, që e quajti këtë “hakmarrje”.
“Zotëria që në moshën 55 vjeçare u bë Ministër i Brendshëm, kërkon të hakmerret ndaj kolegëve të tij, të së njëjtës moshë!
Projektligji i ri për Policinë e Shtetit, synon të paragjykojë e të diskriminojë çdo efektiv policie, i cili ka mbushur moshën 55 vjeç, duke e larguar atë nga puna, pasi i ka dhuruar gjithë jetën atij profesioni. Dhe mbi të gjitha, t’a trajtojë atë me gjysmën e pagës neto!!!
Në shumë vende të botës, kur polici arrin një moshë të caktuar, për shkak të efektshmërisë që kërkon detyra, atashohet pranë posteve administrative, të cilat nuk i mungojnë administratës tonë burokrate. Vetëm këtu tek ne ndodh që mendja ”brilante” e Ministrit 57 vjeçar, kërkon t’i hedhë në kosh të plehrave 30 vite investim dhe mund!”, shkroi ajo në Facebook.
Cakaj shtoi se pavarësisht lodhjes që mund të shkaktojë profesioni, polici 55 vjeçar është ende i aftë për kryerje detyrash administrative e mbi të gjitha është kryefamiljar dhe paga e tij mund të jetë e vetmja e ardhur e familjes së tij.
“Mos harro Ministër se mosha e pensionit është rritur dhe aq më tepër, në Shqipëri është tej mase e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të gjesh një vend pune në moshën 55 vjeçare.
Keni ngritur pafund struktura policore ku mund të punësoni militantët tuaj, pa qenë nevoja të nxirrni në rrugë të madhe punonjësit që i dedikuan jetën profesionit.
Paraardhësi juaj I quajti barkderra, ndërsa ju po guxoni t’iu ndërprisni karrierën dhe jetën në mes.
Jo të gjithë e kanë fatin, që nëpërmjet servilizmit e lëpirjes, të bëhen ministra në moshën 55 vjeçare.”
