Sot, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, u diskutua projektligji për funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja evidentoi problematikat e ligjit të vjetër ndërsa shtoi se pa një shërbim përmbarimor efektiv nuk ka një mirëfunksionim të drejtësisë.

“Është një projektligj që lidhet me funksionimin e shërbimit për gjyqësor shtetëror dhe përmbyllim reformimin e sistemit përmbarimor shtetëror por dhe në tërësi po të kemi parasysh dhe faktin që prej disa vitesh në Shqipëri funksionon shërbimi përmbarimor mbi baza private.

Ky shërbim në tërësi, veçanërisht shërbimi përmbarimor shtetëror, paraqet një rëndësi të madhe sepse lidhet me procesin e rregullt dhe materializimin e të drejtave të fituara në gjykatë. Pra pa një shërbim përmbarimor efektiv, çdo reformë që ne kemi ndërmarrë për mirëfunksionimin e mirë të sistemit të drejtësisë nuk do të prodhonte rezultatet e duhura sepse me përmbarimin lidhet rivendosja e të drejtave të fituara në gjykatë nga qytetarët dhe bizneset.

Nëpërmjet këtij projektligji synojmë që të rrisim cilësisht ofrimin e shërbimeve përmbarimore shtetërore për qytetarët, do të zgjidhim disa nga problematikat e evidentuara në praktikë në lidhje me statusin e përmbarueseve, trajtimin e tyre dinjitoz për detyrën që kryejnë, organizimin dhe funksionimin e zyrave përmbarimore dhe krijohet një sistem i mirëfilltë karriere si përmbarues gjyqësor shtetërore.

Reformimi i këtij shërbimi, paraqitet si domosdoshmëri në kuadër të garantimit të rritjes së cilësisë së ofrimit të shërbimeve nga përmbarimi shtetëror por dhe përmirësimin e mekanizmave kontrollues të ofruara te qytetarët.“, tha Manja duke shpjeguar disa problematika të ligjit aktual për shërbimin përmbarimor shtetëror.

“Një ndër problematikat më kryesore që kemi evidentuar në veprimtarinë e përmbaruesve gjyqësorë ka të bëjë me profesionalizmin dhe paanshmërinë. Nuk ka qenë në gjendje që të tërheqë përmbarues shtetërore të motivuar dhe të aftë për të përmbushur detyrën me profesionalizëm.”, tha Manja.

Sipas ministrit, projektligji për shërbimin përmbarimor shtetëror do të përballojë ngarkesën e punës por gjithashtu do të jetë konkurrues në treg.

“Ne kërkojmë që ky shërbim të përballojë volumin dhe ngarkesën e punës por nëpërmjet këtij projektligji, do të rrisim cilësinë e shërbimeve që ky përmbarim ofron për qytetarët por dhe të jetë konkurrues në treg. Në projektligj kemi parashikuar jo vetëm mënyrën e organizimit, sistemin e karrierës, por sa i përket ushtrimit të veprimtarisë, kemi paraparë të gjitha garancitë dhe shërbimet që ofron shërbimi përmbarimor mbi baza private.

Nga momenti që do të hyjë në fuqi ky projektligj, do të jetë një shërbim konkurrues në treg me hyrjen në fuqi të këtij ligji iu themi qytetarëve shqiptarë se ndërmjet dy shërbimeve të zgjedhin më të mirin.”, tha ai.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re