Belgjika nuk heq dorë nga zbardhja e dosjes “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro, çështje e përdorur si një ‘kalë beteje’ nga opozita për të akuzuar ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Burime për Report Tv mësojnë  se  një grup prokurorësh belg prej 6 vetash, ndodhen në Shqipëri për dosjen e ‘Toyota Yaris’, të cilët nuk kanë hequr dorë nga marrja në pyetje të Lulzim Bashës.

Prej 3 ditësh prokurorët belg ndodhen në Tiranë, ndërsa mësohet se nuk do të largohen pa marrë në pyetje Lulzim Bashën.

Edhe pse ndaj Lulzim Bashës janë lëshuar disa thirrje për të dëshmuar nga prokuroria e Belgjikës  gjatë periudhës nga shkurti i 2019 deri në mars të 2020 dhe përgjigja e tij për të dëshmuar ka qenë zero.

3 prokurorë, 2 oficer dhe një shef policie nga Belgjika, janë takuar me prokurorë të SPAK dhe të prokurorisë Tiranë pikërisht për zbardhjen e kësaj dosje, por edhe lidhur me hetimet për një grup kriminal të trafikut të drogës, të cilët pastrojnë paratë në Shqipëri. Burime për Report Tv mësojnë se një grup kriminal i trafikut të drogës që është në qendër të hetimeve pastron paratë e aktivitet kriminal në Shqipëri, ku në të janë të përfshirë edhe zyrtarë, por ende nuk ka detaje të tjera lidhur me këtë çështje.

Si u zbuluan 3.4 euro brenda makinë “Toyto Yaris

Më 22 qershor 2018, Lulzim Basha nga foltorja e Parlamentit akuzoi Ballën si të lidhur me 3.4 milionë eurosh që ishin të fshehura në një makinë në Portin e Durrësit dhe vinin nga Belgjika, dy ditë para se policia t’i kapte ato më 24 qershorit 2018. Kjo bëri që prokuro ta merrte Bashën në pyetje se nga i kishte marrë informacionet, i cili duke u rrezikuar për t’u marrë i pandehur si dekonspirues i operacionit u paraqit më datë 25 korrik 2019 për të dhënë shpjegime përpara prokurorit.

Taulant Balla e paditi Lulzim Bashën për shpifje, lidhur me deklaratat që ky i fundit bëri në Kuvend se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar ne dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste kreut te grupit socialist. Lulzim Basha u dënua nga gjykata me 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj Taulant Ballës.

Mbrëmjen e 24 qershorit 2018, policia shqiptare sekuestroi rreth 3,4 milionë euro të fshehur në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit. Makinat u gjetën në një karoatrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës. Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompania shqiptare transporti, kishte dhe 8 makina të tjera. Itenerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri.

Menjëherë në vendngjarje policia arrestoi pronarin e kompanisë së transportit Edi Lika, Klevis Lika, djalin e pronarit të kompanisë, dhe shoferin e kamionit, Agim Çeku. Një ditë më pas, më 25 qershor, policia arrestoi Alban Mollaymerin, biznesmenin që ka porositur makinat nga Belgjika. Policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Elvis dhe Alfred Vladin, që dyshohet se ishin personat që do të merrnin paratë. Megjithatë policia nuk ka treguar informacion të plotë rreth rolit konkret të dy vëllezërve Vladi në këtë çështje, ndwrsa Gjykata e Posaçme vendosi që 3.4 mln euro që u kapën në portin e Durrësit  brenda  “Toyota Yaris” do t’i kalojnë shtetit.

Një shtetas gjerman pretendoi se ishin paratë e tij dhe se i kishte sjellë për të hapur biznes në Shqipëri por SPAK dhe GJKKO nuk ia pranuan duke e konsideruar të pabesueshëm.  Kujtojmë se në lidhje me këtë ngjarje është dënuar Elvis Vladi  nga Gjykata e Tiranës me 1 vit e 6 muaj burg.  Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, Vladi do të bëjë vetëm 1 vit burg.  Çështja e nisur me bujë të madhe, ajo e ‘Toyota Yaris’ është sfumuar në gjykim, ku Elvis Vladi u dënua për veprat e mosdeklarimit të hollash, ndërkohë që akuza fillestare ka qenë “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re