Në Parlament kanë mbërritur dy kërkesa nga Prokuroria e Posaçme SPAK. E para bën fjalë për shtesës e pagës prej 60 për qind për vështirësi në punë dhe privimin e lirive e privatësisë së familjarëve të tyre dhe e dyta marrja e vendimit për pagën e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Struktura e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit shprehet se shtesa e pagës nxit aplikimin e kandidatëve më të mirë jo vetëm për prokuror, por edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe administratën e punonjësve civilë.

Shkresa e depozituar në kuvend kërkon nga deputetët të miratojnë një pagë për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit sa ajo e prokurorit të SPAK në nivelin bruto me shtesën për vjetërsi si magjistratët, 10 për qind shtesë për postin e drejtuesit si dhe shtesë për vështirësi në nivelin e 50 për qind të pagës bruto fillestare.

Aktualisht paga për hetuesit e SPAK është në nivelet e 170 deri në 190 mijë lekë, por mos marrja e shtesës që nga nisja e punës, për hetuesit të cilët nuk pranuan të flasin me kamera është një demotivim për ta.

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët do të dërgojnë përpara Gjykatës Speciale zyrtarët e lartë të korruptuar, duke u konfiskuar njëkohësisht edhe pasurinë e pajustifikuar, sipas ligjit të miratuar do të shpërblehen me karrierë të shpejtë dhe vlera monetare.

Kështu e parashikon ligji për Statusin e Magjistratëve si dhe një rregullore e miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ngritjen në detyrë të prokurorëve te SPAK-ut.

Por, goditja e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta është kusht kryesor për ngritjen në detyrë, vlerësimin dhe shpërblimin e prokurorëve të posaçëm. Neni 16 i ligjit për statusin e magjistratëve parashikon që magjistrati që ka vlerësimin më të lartë etik dhe profesional merr një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë ose rreth 3 mijë USD, brenda një viti.

Ndërkaq rregullorja e miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, e cila shërben si standard, parashikon hetimin e çështjeve të ndërlikuara ligjërisht dhe në fakt është kriteri kryesor për vlerësimin më të lartë profesion.

Sipas rregullores së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, “çështje e ndërlikuar ligjërisht dhe në fakte” konsiderohen ato çështje ku subjekt i hetimit është një funksionar i lartë publik.

Gjithashtu, prokurorët e SPAK-ut do të marrin një pagë trefish më të lartë se paga aktuale e prokurorëve që nuk kanë kaluar vettingun. Nëse aktualisht, paga mesatare për prokurorët është nga 100 mijë deri në 130 mijë lekë në muaj, paga e prokurorit të posaçëm do të jetë nga 280 deri në 380 mijë lekë në muaj, duke u bërë njerëzit më të paguar në Shqipëri, madje mbi Presidentin dhe kryeministrin.

Kjo vlen edhe për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar vettingun. Paga llogaritet në bazë të nenit 12 të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sipas nenit 12, paga bazë e prokurorit të SPAK-ut apo e çdo prokurori që kalon vettingun shkon sa 90 % deri në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri.

Ata do të marrin edhe një shtesë për vjetërsi në ushtrimin e funksionit që llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. Gjithashtu, prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do të përfitojnë edhe 60 % të pagës.

Por, nuk mbaron me kaq. Prokurorët do të paguhen për orët e punës jashtë orarit, do t’u kompensohet çdo shpenzim nëse punojnë në një rreth tjetër, do të paguhen për vështirësi etj. Ata do të përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë. Dhe kjo e ardhur e tyre mujore kalon edhe pagën bazë të kryeministrit dhe Presidentit, nëse u referohemi shifrave që ata përfitojnë si paga deri më tani.

 

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re