Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagon nga qelia pas lajmit se prokurorët e SPAK do ta marrin në pyetje nesër, datë 7 janar ora 10:00.
Përmes një reagimi nga rrjeti i tij social Facebook, Meta thotë se padyshim që do të paraqitet në SPAK, por jo për t’u marrë ai në pyetje, por për t’i marrë ai në pyetje prokurorët.
“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk.
Padyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, ka komunikuar Meta përmes postimit të tij në Facebook.
Nesër (7 janar 2025) SPAK pritet të marrë në pyetje ish-presidentin Ilir Meta.
Burime për gazetaren Klodiana Lala bënë me dije se Meta do të merret në pyetje në orën 10:00.
Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me nje bizmesmen, për marrjen përsipër të ndryshimit në favor të tij, të një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.
Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve të veprës penale në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.
Ai u arrestua bazuar në rezultatet e këtyre hetimeve dhe gjendet në paraburgim. Meta i ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar revokimin e masës së sigurisë në gjykatë. Akuza të ngjashme ka ngritur SPAK edhe ndaj deputetes Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët ndodhen tashmë në një proces divorci. Kryemadhi po hetohet në gjendje të lirë.
Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho ndodhet detyrim paraqitje për akuzën e korrupsionit pasiv. Në të njëjtën masë sigurie po hetohet për pastrim parash edhe Ema Çoku, një financuese e LSI-së.
