Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit

Komisioneri Publik, Dariel Sina kërkoi shkarkimin e prokurorit të Krimeve të Rënda, Besnik Muçi për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, ndërkohë që Muçi e quajti atë të pabazuar dhe dorëzoi prova të reja. Pjesë e debatit u bë edhe një raport “sekret” i DSIK-së, për shqyrtimin e të cilit nuk është marrë ende vendim.

Nga Edmond Hoxhaj

Në seancën e dytë përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi u përball me kërkesën e Komisionerit Publik, Dariel Sina për shkarkimin e tij. Muçi e cilësoi të pabazuar kërkesën e Sinës dhe dorëzoi prova mbi huatë e marra nga familjarët për blerjen e dy apartamenteve.

Prokurori Besnik Muçi po përballet me shkallën e dytë të vetingut, ndërkohë që synon paralelisht të zgjidhet për një post në Gjykatën Kushtetuese dhe një të dytë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Trupa gjykuese që po shqyrton çështjen e tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit drejtohet nga Sokol Çomo, me relator Artan Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj.

Komisioneri Sina përsëriti në fillim të seancës të enjten argumentet e ankimit të konfirmimit në detyrë të Besnik Muçit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, të cilat lidhen me kriterin e pasurisë. Sipas tij, prokurori Muçi nuk ka paraqitur prova për justifikimin e kursimeve në vlerën e 200 mijë lekëve si dhe për katër hua në vlera të ndryshme të marra nga familjarët ndër vite me qëllim financimin e blerjes së dy apartamenteve në pronë të tij.

Komisioneri Sina deklaroi në seancë se Muçi ka blerë një apartament 57 m2 në vitin 2006 në Tiranë në vlerën e 1.9 milionë lekëve, përmes një huaje prej 500 mijë lekësh marrë nga babai me burim të ardhurat e vëllait në emigracion, një hua prej 6 mijë eurosh nga motra dhe bashkëshorti i saj në Mbretërinë e Bashkuar dhe një hua 3 mijë euro nga xhaxhai.

Në hua e dytë prej 15 mijë eurosh marrë në vitin 2016 nga vëllai i bashkëshortes është gjithashtu objekt i ankimimit, ndërkohë që vlera ka shërbyer për blerjen e një apartamenti me vlerë 75 mijë euro në Tiranë.

“Subjekti nuk ka paraqitur prova për të vërtetuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të shumave të marra hua nga familjarët e tij. KPK nuk ka hetuar dhe nuk ka kryer analizë financiare mbi mundësinë e huadhënësve për të kursyer vlerat e sipërcituara,” argumentoi Komisioneri Publik.

Sina e akuzoi Muçin edhe për deklarim të pamjaftueshëm, duke iu referuar mosdeklarimit nga ana e tij e pasurive që bashkëshortja e tij zotëron me familjarët e saj; një sipërfaqe trualli prej 178 m2 dhe një ndërtesë 100 m2. Për këto pasuri, bashkëshortja e prokurorit Besnik Muçi ka nënshkruar një kontratë shitje në vitin 2018 për kalimin e tyre te blerësit, në vlerën 1.3 milionë lekë.

Duke i konsideruar vlerat e mësipërme të pajustifikuara, komisioneri argumentoi se Muçi ishte në pamundësi për të mbuluar me burime të ligjshme shpenzimet e pesë viteve të karrierës së tij, ndërkohë që solli në vëmendjen e trupit gjykues edhe një informacion të përcjellë nga DSIK pas mbylljes së procesit në shkallë të parë.

Komisioneri Publik nuk sqaroi në seancë përmbajtjen e raportit të DSIK.

“Prokurori Besnik Muçi dhe personat e lidhur me të nuk arrijnë të justifikojnë bindshëm burimin e ligjshëm të të ardhurave dhe pasurive të deklaruara; se ai ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet e deklaruara,” tha Sina, duke përsëritur kërkesën për shkarkimin e subjektit.

“Kërkoj të flas në këmbë se kam 17 vjet si prokuror që flas në këmbë para gjykatës,” tha në fillim të fjalës së tij prokurori Besnik Muçi, duke i kërkuar Kolegjit që të mos e pranojë ankimimit për shkak tejkalimit të afatit ligjor prej 45 ditësh.

Megjithatë, Muçi parashtroi pretendimet e tij, duke pohuar para Kolegjit se ai dhe familjarët e tij kishin burime të ligjshme dhe se kishte siguruar prova konkrete për të vërtetuar huatë. Muçi pretendoi gjithashtu se dokumentet mbi të ardhurat e familjarëve nuk i kishte dorëzuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pasi nuk i kishte kaluar “barra e provës”.

“Babai dhe xhaxhai kanë tokë bujqësore dhe kanë krijuar të ardhura nga shitjet ambulante, ndërkohë që nuk kanë patur detyrim ligjor për të paguar tatim fitimi,” tha Muçi duke pretenduar se deri në vitin 2016, shitësit ambulantë kanë qenë të përjashtuar nga çdo lloj takse.

Ai shtoi se kishte sjellë dokumentacion provues edhe për punën e vëllait të tij në Greqi për pesë vite ku rezultonte se kishte qenë i regjistruar dhe kishte paguar detyrimet. Ai shtoi se i vëllai kishte çelur një biznes në periudhën 2004-2006 dhe se dispononte dhe dorëzonte kontratat me institucione shtetërore për shitje të bukës, në vlerën 1.57 milionë lekësh.

Muçi i kërkoi trupës gjykuese të administronte si prova edhe dokumente me vulë apostile lidhur me të ardhurat e bashkëshortit të motrës në Britaninë e Madhe, për të cilin tha se kishte të ardhura prej 26 400 paund dhe se kishte mundësi të kursente më shumë se 6 mijë eurot e borxhit.  Ai shtoi se kishte sjellë dokumente provuese edhe për të ardhurat e vëllait të bashkëshortes që jeton në Turqi, që i kishte dhënë hua vlerën 15 mijë euro.

“Vëllai i bashkëshortes është martuar me një shtetase turke, babai i së cilës ka një kompani ndërtimi prej vitesh. Dokumentacioni i marrë nga institucionet turke dhe nga kompania e vjehrrit të vëllait të bashkëshortes, të pajisura me vula apostile, vërtetojnë se ata kanë pasur mundësi financiare për huanë 15 mijë euro, madje edhe më tepër,” shtoi ai.

Lidhur me mosdeklarimin e pronave të bashkëshortes, Muçi tha se sipas legjislacionit përkatës, bashkëshortja e tij nuk kishte pjesë takuese në ato pasuri, pasi ishte shkëputur nga trungu i familjes së prindërve që prej vitit 1997, kur ishin martuar. Ai tha se kishte qenë gabim i noterit që kishte kërkuar firmën e bashkëshortes së tij për shitjen e shtëpisë së të atit.

Prokurori Besnik Muçi kërkoi që trupa gjykues e KPA-së të pranojë administrimin e provave të reja që depozitoi dhe riçeljen e shqyrtimit gjyqësor. Trupa gjykuese u tërhoq për vlerësimin e provave të reja, nga ku konstatoi se një pjesë ishin fotokopje dhe i kërkoi prokurorit Muçi t’i sillte në formën e kërkuar nga ligji, ose do të rishikonin vendimin për këtë pjesë të dokumenteve.

Kryesuesi Sokol Çomo pyeti Komisionerin Publik, Dariel Sina se çfarë lidhje kishte me shkaqet e ankimit dokumenti i dorëzuar nga DSIK për të cilin kërkoi vëmendje gjatë parashtrimeve. Sina tha se nuk kishte ndonjë lidhje me shkaqet konkrete të ankimit, por kërkoi që të administrohej si provë për efekt të transparencës dhe se mund të shërbente për vlerësimin në tërësi të çështjes.

Pas disa pyetje-përgjigjeve mes kryesuesit të trupës gjykuese të Kolegjit, Sokol Çomo dhe Komisionerit Sina për lidhjen e dokumentit sekret të DISK me shkaqet ankimit, nuk u arrit të identifikohej një konkluzion.

“Ky dokument ka mbërritur pasi KPK i kishte kërkuar DSIK-së që të informonte nëse prokurori Besnik Muçi kishte pasur lidhje me katër persona. Komisioneri shpjegoi se në përgjigjen e DSIK-së thuhej se Muçi kishte lidhje me dy prej katër personave në fjalë dhe se njëri prej të cilëve ishte administrator i njërës prej banesave që kishte blerë,” tha Sina.

Prokurori Muçi i kërkoi Kolegjit që të mos e administronte këtë akt si provë, nëse nuk ka lidhje me shkaqet e ankimit. Trupa gjykuese e KPA-së u tërhoq dhe vendosi të administrojë si prova dokumentet e depozituara nga prokurori Besnik Muçi, me kushtin që për fotokopjet të dorëzohej dokumentacion ashtu si e kërkon ligji, ndryshe do të rishikohej vendimi.

Gjithashtu, u vendos të shqyrtohej dokumenti sekret i DSIK-së dhe seancën tjetër do të vendosej nëse do të administrohej ose jo si provë. Çomo përfundoi se seancën e radhës, pas debatimit të provave mes palëve, do të vendosej nëse do të riçelej ose jo shqyrtimi gjyqësor. Seanca e radhës do të zhvillohet me datë 1 tetor, ora 12:00.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re