Në mbledhjen e kësaj të premteje të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mes të tjerash, Këshilli paraqiti raportin për ecurinë e procesit të verifikimit të figurës pasurisë si dhe plotësimin e kushteve dhe procedurave të parashikuara nga ligji, për kancelarët në detyrë në sistemin prokurorial si dhe për kandidatët për inspektor në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.
Po në këtë mbledhje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi deklarimin e mbarimit të statusit, për shkak dorëheqje të magjistratit Nezir Gjoka, aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, që ka hetuar shumë dosje mes të cilave edhe atë të guvernatorit Ardian Fullani.
Ndërkohë, mes vendimeve të tjera në mbledhjen e sotme Këshilli ka vendosur me shumicë votash miratimin e projekt-akteve të vlerësimit, në kuadër të rivlerësimit kalimtar për prokurorët Drini Pali dhe Rabiana Halili. Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Këshilli ka vijuar me hedhjen e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e ankesave kundër arkivimit të hetimit nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Për sa më sipër, bazuar në nenin 160, pika 13 e ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, për shqyrtimin e këtyre ankesave duhet të krijohet një komision i përkohshëm i përbërë nga 2 anëtarë jo-prokurorë dhe 1 anëtar prokuror.
Nga ky short përjashtohen anëtarët e Komisionit tët e Komisionit të Disiplinës. Përbërja e këtij komisioni përcaktohet me short nën kujdesin e Kryetarit të Këshillit. Shorti ka caktuar z. Gent Ibrahimi, znj. Nurihan Seiti dhe z. Kostaq Beluri.
Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale në Këshill paraqiti raportin për ecurinë e procesit të verifikimit të figurës pasurisë si dhe plotësimin e kushteve dhe procedurave të parashikuara nga ligji, për kancelarët në detyrë në sistemin prokurorial si dhe për kandidatët për inspektor në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.
/shqip
