Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të premten në detyrë prokurorin e Apelit të Vlorës, Kleanth Zeka, pas një hetimi të kryer në të tre kriteret e rivlerësimit. Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Firdes Shuli dhe anëtar Roland Ilia.

Kleanth Zeka e ka nisur karrierën si oficer i policisë gjyqësore dhe më pas është emëruar si prokuror në Vlorë. Në qershor 2014 ai është promovuar në detyrë si prokuror i Apelit të Vlorës, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 20 nëntor, Zeka u përball me pasaktësi në deklarimin e pasurisë ndër vite si dhe mungesë burimesh financiare në vlera të vogla.

Prokurori i Apelit të Vlorës u mbrojt para Komisionit se nuk kishte ditur t’i plotësonte mirë formularët e deklarimit të pasurisë.  “Ndonjëherë bëheshim disa kolegë bashkë dhe konsultoheshim se si t’i plotësonim deklaratat. Askush nuk mund të dijë gjithë legjislacionin,” tha ai, duke shtuar se punonte në fushën penale.

KPK ka verifikuar për udhëtimet e prokurorit Zeka jashtë shtetit, prej nga është identifikuar vetëm një rast në vitin 2011 kur ai ka shkuar në Greqi me autobus së bashku me bashkëshorten dhe një prej fëmijëve. Ndërsa nuk ka rezultuar të ketë udhëtuar ndonjëherë me mjet privat jashtë Shqipërisë.

Prokurori Zeka mori vlerësim pozitiv të figurës dhe profesionalizmit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re