Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar idiot ndërkombëtar prokurorin e Hagës, i cili në fjalën e tij në seancën gjyqësore, tha se ndërkombëtarët nuk e kishin kuptuar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte maskuar realitetin, lidhur me luftën në Kosovë.

Rama ka ndarë pamje në rrjetet sociale, ku tregohet deklarata e bërë nga prokurori.

“Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesler Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë, është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet, dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet sesi funksiononte UÇK. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan që nuk kishin interes për të kuptuar se çfarë po ndodhte në realitet, dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë. Nuk u përballen me atë që po dëgjon tashmë ky trup gjykues dhe për të cilat do të marrë vendimet përkatëse. Vendimet e tyre në fakt nuk ishin as me standardet ligjore ndërkombëtare, sa i takon kontrollit efektiv. Kryekomandanti i identifikuar i UÇK, mund të mos ketë qenë në gjendje të ushtronte komandon sikurse ushtritë e SHBA dhe NATO-s, por as nuk kishte nevojë ta bënte këtë gjë. Paragrafi 613 i dosjes sonë, flet për shumëllojshërinë e hierarkive, të cilat janë të mjaftueshme për të konstatuar përgjegjësinë eprore sipas të drejtës kombëtare humanitare”, ,thuhej në deklaratën e prokurorit të Hagës.

Për rolin e tyre si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria e Hagës ka kërkuar ditën e djeshme për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga 45 vjet burgim për secilin.

Ndërkaq, sot është dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër tyre.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re