Prokurori Altin Dumani është zgjedhur zëvendësdrejtor i SPAK, me mandat dy vjeçar.

Mësohet se emri i Dumanit është propozuar në mënyrë unanime nga vetë prokurorët e SPAK.

“Me datë 10 Qershor 2022 zhvillua mbledhja e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, me rend dite : “ Caktimi i Zv. Drejtuesit të Prokurorisë Posaçme”.

Drejtuesi Prokurorisë Posaçme fillimisht mori mendimin e prokurorëve të cilët në mënyrë unanime propozuan që si zv. Drejtues të rizgjidhej prokurori Altin Dumani.

Në vijim Drejtuesi i Prokurorisë Posaçme vendosi :”Caktimin e zotit Altin Dumani në funksionin e Zv. Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme për një afat dy vjeçar”’, njofton SPAK.

Dumani ka qenë pjesë e disa dosjeve të rëndësishme që janë hetuar nga SPAK, ndërkohë që ka qenë një nga të parët që ka kaluar pa probleme  procesin e Vetingut.

Altin Dumani u ngjit në karrierë në SPAK, pasi kishte qenë pjesë e e Prokurorisë së Apelit. Ai është lindur në Shupenzë të Dibrës, dhe njihet si “prokurori i pakompromis”. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha.

Ka një karrierë prej më shumë se 20 vitesh si prokuror,  në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë, ndërsa sot është kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda.

Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas Dumanit që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje. Ai bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.

Gjatë mbledhjes ku u pyet se pse vendosi që të jetë pjesë e SPAK, Dumani u përgjigj duke thënë se ka lënë mënjënanë komoditetin e prokurorisë së apelit dhe do ti përkushtohet luftës ndaj krimit. “Lufta ndaj krimit është më prioritare se komoditeti zyrës”. Dumani është një nga prokurorët e vetëm që la “pa fjalë” edhe të dërguarin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, ditën që doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. “Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje. Zoti Dumani qenka me fat”, u shpreh Jacobs.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re