Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ndërprerë procesin e vetingut për prokurorin e Apelit të Tiranës, Nezir Gjoka, pasi ky i fundit paraqiti në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dorëheqjen e parevokueshme, të motivuar me arsyet shëndetësore.

Sipas vendimit të arsyetuar të datës 3 gusht të trupës gjyqësore të kryesuar nga Suela Zhegu dhe me anëtarë Valbona Sanxhaktari dhe Genta Tafa Bungo, prokurori Gjoka e paraqiti dorëheqjen më 2 qershor 2020; gati tre muaj pas vendimit të KPK-së për mbylljen e hetimit administrativ vetëm për kriterin e pasurisë.

Mbyllja e hetimit për Gjokën dhe kalimi i barrës së provës për kriterin e pasurisë përkoi me periudhën e pezullimit të aktivitetit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkak të masave kundër përhapjes së COVID-19.

Dorëheqja është miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 12 qershor dhe i është komunikuar KPK-së më 24 qershor 2020.

Neni G i Kushtetutës ka parashikuar mundësinë e dorëheqjes së magjistratëve, duke sjellë edhe ndërprerjen e procesit të rivlerësimit. Sipas kësaj dispozite, subjekti që dorëhiqet humbet të drejtën për t’u emëruar në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15 vjeçare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re