Bisedat intensive në telefon të të afërmve të një të riu që u kap me një cigare hashash, por që rezultuan se ishin nën përgjim i kanë kushtuar karrierën dhe lirinë prokurorit Edmond Karriqi, i cili është njeriu i tretë i drejtësisë që për pak kohë bie në prangat e SPAK, mbas gjyqtares Enkelejda Hoxha dhe Sali Hasa, dhe ata nën hetim nga SPAK.

Përgjimet tregojnë se si Edmond Karriqi, katër muaj mbasi u caktua nga KLP në detyrën e kryeprokurorit të Kukësit, nisi negociatat dhe bisedat përmes shoferit të tij, Isuf Gega, po ashtu nën hetim dhe nën gjendje arresti dhe nën ndërmjetësimin e të afërmve rezulton se u pagua me 2 mijë euro.

Përgjimet tregojnë se e gjitha kjo ndodhi dhjetorin e 2019 teksa SPAK ishte nën gjurmim te një çështjeje tjetër, po ashtu nën hetim sekret.

Hetimet tregojnë se prokurori u pagua në shtëpinë e tij, që e ka në qytetin e Kavajës, ndërkohë të afërmit shfaqen të gëzuar në telefon e thonë se paguam, e ku parashikojnë se së shpejti ai do dalë për të afërmin e tyre, që rezulton se qëndroi në paraburgim vetëm 15 ditë dhe më pas fitoi lirinë nga Gjykata e Kukësit.

Për këtë çështje janë në kërkim edhe dy persona të tjerë, për të cilët SPAK ka publikuar vetëm inicialet e tyre. Ndërkohë që, të premten shoferi dhe Prokurori do dalin para Gjykatës së Posaçme si të dyshuar për çështje korrupsioni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re