Gabimi njerëzor është pista kryesore ku po hetohet, por duket se numri i viktimave nuk është ai i pulikuar deri më sot në media.

Prokuroria bullgare ka dhënë sot detaje në lidhje me tragjedinë e dy ditëve më parë në autostradën “Struma”.

Zëdhënësja e Prokurorisë Bullgare Siika Mileva, tregoi se në vendin e ngjarjes ata kanë numëruar 44 trupa të pajetë.

“Shqyrtohet mundësia që një nga udhëtarët të ketë zbritur dhe ka hipur në autobus tjetër në bazë të listët se në autobus ka pasur 52 udhëtarë”,-tha Mileva.

Gjatë marrjes në pyetje të të mbijetuarve, njëri prej tyre ka treguar se ka shpëtuar 8 persona, ndërsa në spital janë 7 pacientë. Në total në autobus kanë qenë 52 vetë sipas listës. Zëdhënësja e prokurorisë është përlotur teksa ka folur për këtë informacion, pasi siç tha ajo, informacioni për shpëtimin e 8 personave e ka marrë nga një i ri, që është në moshë të njëjtë me të birin.

“Unë i thash atij ti je hero, sepse ke arritur të shpëtosh 7 persona. Ai më tha, jo, unë kam shpëtuar 8 persona. Tani u krijua dyshimi se ku është edhe një person”, tha Mileva.

Nga autopsitë e kryera mbi trupat e viktimave, në shumicën e tyre është vërtetuar se shkaku i vdekjes ka qenë asfiksia. Kështu argumentoi shefi i prokurorisë Borislav Sarafov. Për hetimin po punojnë 3 prokurorë dhe 6 hetues.

“Ky ekip i madh është i nevojshmë që ne të mund të bëjmë një hetim në shkallë të madhe dhe të plotë, për të parë të gjitha versionet dhe të gjitha drejtimet në një kohë sa më të shkurtër. Kam dëgjuar për shumë teori spekulative. Në media kanë qarkulluar sikur ka patur 15 dëshmitarë okularë, kur në fakt nuk ka asnjë.”-tha Sarafov.

“Të gjitha autopsitë janë gati dhe ato tregojnë se të gjitha viktimat kanë vdekur si rezultat i asfiksisë dhe jo nga goditjet e marra në përplasje apo ndonjë shpërthim”

Më tutje drejtuesi i prokurorisë Sarafov, deklaroi se nuk ka patur asnjë shpërthim dhe se ajo që është dëgjuar ka qenë përplasja e autobusit me trotuarin në anën e djathtë. U shpjegua se autobusi është zvarritur gjatë përplasjes dhe fërkimimi i automjetit me anësoren mund të ketë sjellë ndezjen e flakëve.

“Bankina në të cilën është përplasur autobusi, jo vetëm që është e panevojshme, por edhe e rrezikshme. Nuk ka pasur shpërthim, por ajo që kanë dëgjuar ata që kanë qenë aty pranë është përplasja, përplasja e fortë e autobusit në trotuarin në anën e djathtë, që thashë se nuk e ka vendin aty. Nuk ka pasur shpërthim,” tha Sarafov.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re