Prokuroria e Kavajës kërkoi shpalljen fajtor të ish-kryebashkiakut të Rrogozhinës, Beqir Nuredini dhe një juristi të bashkisë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Nuredini e quan akuzën “absurde”.

Nga Elton Qyno

Katër vjet pas ngritjes së akuzave Prokuroria e Kavajës lexoi javën që shkoi pretencën ndaj ish-kryebashkiakut të Rrogozhinës Beqir Nuredini dhe një juristi të kësaj bashkie që akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Prokuroria kërkoi të premten që Nuredini dhe juristi Shpendi Dema të shpalleshin fajtorë dhe të dënoheshin me nga 2 vite burg secili. Akuzat ndaj tyre u ngritën pas kallëzimi nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për dhënie të lejeve për ndërtime në zonën e Spillesë.

Sipas kallëzuesve Nuredini kishte lejuar duke shpërdoruar detyrën ndërtimin e 31 objekteve në zonën bregdetare. IKMT bëri kallëzim pasi tentoi të prishte disa prej këtyre objekteve në vitin 2018, por u gjend përballë protestave të banorëve.

I pyetur mbi akuzën dhe kërkesën e prokurorisë Nuredini tha se këmbëngulte në pafajësi, ndërsa pretendoi se akuzat bazuar në një kallëzim të IKMT-së ishin absurde. Ai tha se IKMT kishte humbur gjyqin në një proces administrativ kundër një prej pronarëve të godinave që ishin prishur dhe se ishte gjobitur 14 milion lekë. “Absurdi është që unë vazhdoj të gjykohem për këtë kallëzim të IKMT”, tha Nuredini. Ai pretendoi se nuk kishte dëm dhe se lejet e dhëna kishin krijuar mundësi biznesi dhe 600 vende pune.

Çështja ndaj Nuredinit ka bërë disa ecejake në gjykatë. Ajo fillon në shkurt 2018 kur Nuredini sëbashku me 9 persona të tjerë u ndaluan pas hetimeve për tjetërsimin e 56 hektarëve tokë në plazhin e Spillesë. Nuredini dhe juristi i bashkisë  akuzoheshin për “shpërdorim detyre” në lidhje me disa leje ndërtimi në zonën e plazhit. “

Në tetor 2018 në seancë paraprake Gjykata e Kavajës, ndërsa kaloi për gjykim personat nën akuzë për tjetërsimin e pronave, vendosi të mos kalojë për gjykim çështjen ndaj Nuredinit dhe juristit Shpendi Dema. Vendimi i gjykatës u apelua nga prokuroria dhe në mars 2019 Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi në favor të prokurorisë. Çështja u regjistrua në Gjykatën e Kavajës dhe po shqyrtohet nga gjyqtarja Ardiana Bera.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re