Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun. Ndaj tij rëndojnë tre akuza: “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve zyrtarë” si dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies së tij”.

Kajmaku është ende në kërkim, ndërsa u shkarkua nga detyra me një vendim unanim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin që ishte arrestuar në Greqi dhe se ndaj tij kishte pasur një procedim penal në shtetin fqinj.

Urdhri i arrestit ndaj tij lidhet më faktin se ai dyshohet që të ketë firmosur shkarkimin nga detyra të dy zëvendësve të vet, pasi KQZ, kishte marrë vendimin për t’i hequr atij mandatin, dhe ai kishte humbur të drejtën e firmës si kryetar Bashkie.

Për më tepër dyshohet se Kajmaku, ka falsifikuar dhe datën e vendimit të shkarkimit të dy nënkryetarëve të Bashkisë. Efektivët e policisë të cilët kanë vajtur në banesën e tij për të ekzekutuar arrestin, nuk e kanë gjetur, dhe po vijojnë kërkimet.