Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetim pasuror për 6 shqiptarët e arrestuar dy ditë më parë, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonin  kokainë nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian.

Burime nga SPAK bëjnë me dije për Fax News se prokurorët e kësaj strukture kanë kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë dhe hipotekë për pasurinë e kushërinjve Ramazan dhe Fjoralb Rrajës. Gjithashtu sipas të njëjtave burime në sitë do të kalojnë edhe pasuritë e Musa Gjikolës, Genti Balliut, Bledar Pepajt dhe Fatmir Xhecukës.

Pas arrestimit të personave te lartpërmendur autoritetet kanë bërë kontrolle në banesat e tyre për të pare nëse në to ka pasur sende të paligjshme apo jo. Ndërsa SPAK ka dhënë ndihmë me vëzhgime në koordinim me autoritetet belge, ku edhe u krye operacioni.

Operacioni i koduar “ATOS”, u shtri në 4 shtete. Në sajë të këtij operacioni u arrestuan 8 persona, 6 prej të cilëve nga Shqipëria. Operacioni u zhvillua prej datës 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor, në Shqipëri dhe Belgjikë.

Nga hetimet e kryera mes policisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të arrestuarit merreshin me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë. Nga informacionet që Fax News ka siguruar nga SPAK, mësoi se ky grup funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontenierët e bananeve nga Amerika Latine. Pasi kontenierët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët, për të mos u identifikuar dhe zbuluar, organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re