Prokuroria e Tiranës ka reaguar zyrtarisht këtë të hënë për protestën e mbajtur në datë 8 janar nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha për largimin e Lulzim Bashës nga zyra e kryetarit.

Prokuroria bën me dije se janë 34 persona të arrestuar mbi të cilët rëndojnë 5 vepra penale si në vijim: “Shkatërrim prone” sipas nenit 150 të Kodit Penal, “Prishja e qetësisë publike” sipas nenit 274 i Kodit Penal, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” sipas nenit 282 te Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” sipas nenit 278 i Kodit Penal dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” sipas nenit 279 i Kodit Penal.

Ndër të tjera, Prokuroria thekson se hetimet në lidhje me protestën e 8 janarit vijojnë, ndërkohë ajo shton se janë sekuestruar pamjet filmike për të hedhur më shumë dritë për hetimet.

Rikujtojmë se ditën e shtunë, ish-Kryeministri Sali Berisha thirri në protestë demokratët nga e gjithë Shqipëria për të nxjerrë nga zyra e kryetarit Lulzim Bashësn, të cilin e ka shkarkuar në Kuvendin e 11 dhjetorit, si dhe në referendumin e 18 dhjetorit.

Ky i fundit duket se i kishte marrë mirë masat, pasi dyert që lidhnin katet brenda selisë ishin të blinduara mirë, ndërkohe për të frenuar protestuesit, disa njerëz nga brenda Selisë i sulmonin vazhdimisht me sende të forta dhe me fikëse zjarri. Pas rreth 2 orë përleshj, ndërhyri Policia e Shtetit me gazlotsjellëd, ndërkohë më pas filluan dhe shoqerimet e protestuesve por dhe personave që ishin brenda në seli.

NJOFTIMI

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen hetime për çështjen penale me Nr. 182 të vitit 2022, për ngjarjen e datës 08.01.2022, të ndodhur në selinë e Partisë Demokratike. Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultojnë të jenë arrestuar 34 persona, të dyshuar për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone” sipas nenit 150 të Kodit Penal, “Prishja e qetësisë publike” sipas nenit 274 i Kodit Penal, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” sipas nenit 282 te Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” sipas nenit 278 i Kodit Penal dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” sipas nenit 279 i Kodit Penal.

Po kryhen veprimet e duhura në drejtim të individualizimit të veprimeve të kryera nga secili prej personave të arrestuar dhe personave të tjerë të përfshirë në veprime në kundërshtim me ligjin. Nga hetimet e deritanishme rezulton të jenë ngritur si pista hetimi: – dhuna e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së dhe pasojat e ardhura si shkatërrim prone, – përdorimi i lëndëve të panjohura në drejtim të protestuesve para ndërhyrjes së policisë dhe dhuna e ushtruar në drejtim të tyre, – mbajtja e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve, – si dhe çdo e dhënë tjetër e pretenduar deri në këtë fazë. Hetimet vijojnë në mënyrë intesive në drejtim të marrjes së të dhënave me vlerë hetimore.

Po kryhen të gjitha veprimet si: – sekuestrimet e pamjeve filmike në të gjitha ambientet me vlerë hetimore, – marrja në pyetje e të gjithë personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, – si dhe çdo lloj veprimi tjetër që do dalë i nevojshëm nga dinamika në vijim. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është e angazhuar maksimalisht për kryerjen e hetimeve me objektivitet si në çdo rast, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të çdo personi që ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re