Report TV siguron vendimet e Prokurorisë për dy deputetët, Aqif Rakipi e Gledion Rehova, për të cilët, përmes një kërkesë drejtuar KQZ-së, kërkon heqjen e mandatit. Sipas vendimeve të siguruara nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në kërkesën e Prokurorisë thuhet se Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica rezultojnë të ndaluar në Itali për vjedhje, ndërsa një gjë të tillë nuk e kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Si deputeti i PDIU ashtu edhe ai i LSI rezultojnë me emra të rremë të ndaluar nga drejtësia Italiane, ndërsa zbulimi i tyre është bërë përmes krahasimit të gjurmëve të gishtave nga Interpol Tirana dhe Interpol Roma. Në raportin e Prokurorisë shkruhet se deputeti Aqif Rakipi është ndaluar në Itali për vjedhje nën emrin Skënder Ejylbegaj. Ai ka konsumuar veprën penal të vjedhjes më 03.11.1998. Ky ndalin nga autoritetet italiane nuk rezulton në formularin e vetëdeklarimit të Rakipit.

(Raporti i Prokurorisë për deputetin Aqif Rakipi)
Ndërsa Gledjon Rehovica, me emrin Mina Kusta, është i raportuar për vjedhjen e një dyqani në shtetin fqinj në 27.02.1999. Edhe Rehovica, njësoj si Aqif Rakipi nuk ka deklaruar në formular ndalimin nga policia italiane.

(Raporti i Prokurorisë për deputetin Gledion Rehovica)
Sipas prokurorisë, mosdeklarimi i ndalimeve nga autoritetet italiane në formularin e vetëdeklarimit, i bën të dy deputetët në kushtet e ndalimit të ushtrimit të mandatit. Për këtë shkak, Prokuroria i kërkon KQZ-së heqjen e mandatit për dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. KQZ pritet të vendosë ditët në vijim për këtë kërkesë të organit të akuzës, ndërsa në një mbledhje konsultuese të zhvilluar paraditen e sotme, iu la disa ditë kohë deputetëve për t’u njohur me dosjen.
Prokuroria kallëzon në prokurori dy deputetët
Pas kërkeses drejtuar KQZ për heqje mandati, Njësia e Dekriminalizimit ka kallëzuar këtë të mërkurë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dy deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica për falsifikim formularësh. Kallëzimi ka mbërritur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re