Belshi është kthyer në një pikë turistike që mund të shfrytëzohet në 12 muajt e vitit, jo vetëm në sezonin e verës.

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, bashkë me Kryetarin e Bashkisë Arif Tafani dhe Ambasadori austriak Dr. Christian Steiner morën pjesë në aktivitetin “Fuqizimi i ofertës turistike me anë të zgjidhjeve ekologjike”, projekt i realizuar falë Bashkisë dhe mbështetjes nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Ambasadës së Austrisë në Tiranë. Një projekt që synon promovimin e ekoturizmit në këtë zonë përmes aktiviteteve të ndryshme.

 

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan vlerësoi zhvillimin e ekonomisë që lidhet me agro-turizmin.

 

“Belshi është një krahinë ku është investuar goxha. Bashkia, qyteti dhe të gjitha rrethinat kanë ndryshuar shumë dhe kjo është e prekshme nga të gjithë. Është zhvilluar ekonomia që lidhet me agro-turizmin. Unë e them shpesh, është një lloj Toskane e Shqipërisë që ka potenciale të mëdha. Më vjen mirë sepse këtu po i mëshohet një tjetër elementi të ofertës turistike që është ekoturizmi, sidomos nëpërmjet sporteve. Belshi ka mundësi të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Më vjen mirë që investimet që po bëhen për ushtrimin e çiklizmit”, deklaroi ai.

 

Numri dy i socialistëve vlerësoi edhe punën e mirë të bërë nga pushteti vendor falë dhe mbështetjes së dhënë nga qeveria.

 

“Dua ta vlerësoj punën e kryetarit të Bashkisë sepse është inovator dhe jo më kot Belshi ka marrë shumë financime dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Pra, nuk është vetëm kujdesi i qeverisë shqiptare, por ka qenë dhe aftësia e kryetarit të Bashkisë për të paraqitur projekte dhe për të thithur fondet e duhura nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Jo të gjithë e bëjnë këtë. Ke vlerësim maksimal. Nuk është rastësi që vazhdimisht thith projekte dhe po ia ndryshon fytyrën kësaj bashkie përditë”, deklaroi Damian Gjiknuri.

 

Kryebashkiaku Arif Tafani u shpreh se qëllimi i projekteve të tilla është krijimi i kushteve për të rritur ditët e qëndrimit të vizitorëve në Belsh.

 

“Aktivitetin e promovimit të projektit “Fuqizimi i ofertës turistike nëpërmjet zgjidhjeve ekologjike” besoj se e realizoi qëllimin. Projekti ishte një projekt i fituar nga Bashkia Belsh me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Ambasadës Austriake. Qëllimi i këtij projekti ishte që krijimi i kushteve për të rritur ditët e qëndrimit të vizitorëve në Belsh”, deklaroi Tafani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re