TIRANE- Policia e Kurbinit ndërhyn në kohë dhe parandalon përshkallëzimin e një konflikti i cili agravoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit.

Policia sqaron se ngjarja ndodhi mesditën e djeshme tek Ish – Uzina në Laç, ku shtetasi S.T. 48-vjeç është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D.Lama, të cilin e ka goditur me mjet të fortë (levë hekuri) duke i shkaktuar lëndime trupore.

Ndërsa i plagosuri u dërgua në Spitalin e Traumes në Tiranë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, vëllai i tij Rudolf Lama merr vesh për konfliktin.

22-vjeçari siç sqaron policia e Kurbinit, ka marrë një armë zjarri pushkë model 63, me fishekë, dhe në gjaknxehtësi, ka shkuar tek fabrika e shtetasit S.T. ku e ka ofenduar dhe kërcënuar si dhe ka qëlluar disa herë me armën e zjarrit.

Falë vlerësimit në kohë të situatës dhe njoftimit për konfliktin, nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, është bërë e mundur ndërhyrja në kohë rekord duke arrestuar në flagrancë shtetasin Rudolf Lama dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pushkë me të cilën kishte kërcënuar dhe qëlluar.

Ai akuzohet për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”.

Gjithashtu, u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit S.T. 48 vjeç, banues në Kurbin për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.

Materialet proçeduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.(m.a/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re