Qeveria shqiptare ka njohur borxh për t’u kthyer prej gati 860 milionë euro për pronarët, të cilëve iu është konfiskuar prona gjatë diktaturës komuniste.

Shifra është bërë e ditur në raportin vjetor të avokatit të popullit, i cili është dorëzuar në Kuvend. Në raport AP ngre kritika të forta mbi procesin e kompensimit të pronarëve, i cili sipas ligjit të vitit 2015 duhet të përfundonte brenda dhjetë vitesh.

GJETJET NE RAPORT

Po ashtu, Avokati i Popullit konstaton se procesi i kompensimit financiar vazhdon të jetë mjaft i ngadaltë. Sipas raportit, agjencia e trajtimit të pronave ka lëshuar 26.092 vendime për kompensim, ndërsa nga 2018-2022 është kryer pagesa vetëm për 398 vendime.

Sipas Avokatit të Popullit, me këto ritme nuk arrihet afati 10 vjeçar i vendosur në ligjin e qeverisë Rama në 2015. Ndër të tjera në raport vlerësohet se procesi kompensimit financiar të pronave nuk është realizuar në të tërë elementët e tij dhe mbi të gjitha subjektet e kompensuar nuk arrijnë të marrin kompensimin financiar. Aktualisht qeveria por përdor si fonde për kompensimin e pronarëve, vetëm paratë që sigurohen nga procesi i legalizimit.

Mospërfundimi i procesit të kompensimit të pronave të njohura subjekteve me të drejtë kompensimi me një nga format e parashikuara në ligjin nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, mbetet çështje mjaft e mprehtë, pasi subjektet që e kanë përfituar në pronësi, kryesisht sipas ligjit 7501/1991 “Për tokën”, i ndryshuar dhe ligje të tjera të veçanta, kanë disponuar dhe disponojnë mbi pronat e ish pronarëve, në kushtet kur procesi i kompensimit ende ndodhet larg përfundimit, thekson në raport Avokati i Popullit. Ndërkohë që mosregjistrimi në regjistrat kadastralë i këtyre 26 mijë vendimeve është një tjetër shqetësim për Avokatin e Popullit. “Në lidhje me regjistrimin në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të 26 mijë vendimeve të dhëna në vite prej Agjencisë së Trajtimit të Pronës, të njohjes së pronës me të drejtë kompensimi, çështja vazhdon të mbetet e papërfunduar”, thekson raporti i Avokatit të Popullit.

Një problematikë tjetër e ndeshur është zvarritja e procedurave për shpërblimin e pronarëve që preken nga projekte publike. “Edhe pse individëve u merren pasuritë për interes publik, konstatohet zvarritje e procedurave administrative nga ana e institucioneve që kanë për detyrim plotësimin e dokumentacionit për marrjen e shpërblimit. Për sa më sipër në lidhje më këtë pikë, përsërisim se shpronësimi për interes publik i pronës private duhet të trajtohet me kujdesin e duhur dhe të jetë në vëmendjen e institucioneve shtetërore, në mënyrë që të mos jetë apo perceptohet arbitrar nga individët. Po kështu përsërisim se institucionet shtetërore gjatë procedurave të shpronësimit duhet të kenë parasysh edhe vendimmarrjet e Gjykatës të të Drejtave të Njeriut”, citohet në raportin vjetor të Avokatit të Popullit.

Mesatarja vjetore është 10 milionë euro, çka bën që fondet të jenë të pamjaftueshme për të përmbushur detyrimin për kompensimin e plotë financiar brenda 10 vitesh nga dalja e ligjit. Paralelisht është menduar zbatimi i një skeme me kompensim me toka shtetërore, por në fakt sipërfaqet e vëna në dispozicion janë mjaft modeste.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re