Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një statusi në rrjetet sociale, shprehet se propozimet ekonomike të Dhomës Amerikane të Tregtisë janë të drejta, në këtë kohë krize.

Basha i bën thirrje qeverisë që të rialokojë buxhetin për koncesionet, pasi fondi prej 50 milionë euro për shtresat në nevojë është i pamjaftueshëm.

Postimi i liderit demokrat

Shqetësimet dhe propozimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë janë të drejta. I kam kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin nga vështirësitë e shkaktuara prej pandemisë.

Qeveria shqiptare duhet të RIALOKOJË fondet e vendosura në buxhet për PPP-të, nga shpenzimet operative si edhe nga investimet publike dhe ti vërë ato në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike.

Fondet e shpallura nga qeveria prej 50 milionë euro në total për 3 muaj, për shtresat në nevojë, pagat e biznesit të vogël dhe pagesën e papunësisë, NUK i mbulojnë nevojat e krizës.

Pas shëndetit, ekonomia duhet të jetë prioritet absolut i qeverisë. Shqipëria ka nevojë për masa gjithpërfshirëse dhe jo fjalë. Koha është tani, sepse çdo vonesë do kushtojë shtrenjtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re