Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Partisë Socialiste për të mos mbështetur zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, duke e akuzuar mazhorancën se po synon centralizimin e pushtetit përmes ndryshimeve të reja në hartën administrative.
Në një deklaratë publike, Bardhi tha se që në fillim të procesit objektivi i PS-së ka qenë “përfitimi elektoral dhe centralizimi i mëtejshëm i pushtetit”, dhe jo përmirësimi i shërbimeve për qytetarët apo forcimi i qeverisjes vendore.
Sipas tij, refuzimi për të vijuar punën me konsensus tregon mungesën e vullnetit për të dëgjuar komunitetet, përfaqësuesit e pushtetit vendor, shoqërinë civile dhe ekspertët.
Bardhi kundërshtoi gjithashtu propozimin për shkrirjen e 15 bashkive, duke e cilësuar atë një hap drejt dobësimit të pushtetit vendor dhe largimit të shërbimeve nga qytetarët. Ai deklaroi se PD kundërshton shkrirjen e bashkive Rrogozhinë, Divjakë, Patos, Fushë-Arrëz, Memaliaj, Prrenjas, Belsh, Cërrik, Dimal, Poliçan, Klos, Libohovë, Këlcyrë, Maliq dhe Selenicë.
Sipas Bardhit, çdo ndryshim i kufijve administrativë duhet të paraprihet nga konsultimi me banorët e zonave të prekura, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe standardet demokratike.
Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për një reformë administrativo-territoriale që forcon pushtetin vendor, afron shërbimet me qytetarët dhe mbështetet në dialog, konsensus dhe interesin publik, jo në interesa politike afatshkurtra.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Vendimi i Partisë Socialiste për të votuar kundër zgjatjes së mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale konfirmoi edhe një herë se kjo mazhorancë nuk ka pasur asnjëherë vullnet për një reformë gjithëpërfshirëse, transparente dhe të bazuar në interesin e qytetarëve. Që në nisje të këtij procesi, objektivi i saj ka qenë përfitimi elektoral dhe centralizimi i mëtejshëm i pushtetit, e jo përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e cilësisë së qeverisjes vendore.
Refuzimi për të vijuar punën me konsensus dëshmoi mungesën e vullnetit për të dëgjuar komunitetet e prekura, përfaqësuesit e pushtetit vendor, shoqërinë civile dhe ekspertët vendas e ndërkombëtarë. Një reformë që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve nuk mund të ndërtohet me vendime të njëanshme dhe pa konsultim të gjerë publik.
Propozimi për shkrirjen e 15 bashkive ekzistuese nuk përbën reformë administrative. Ai është një hap tjetër drejt dobësimit të qeverisjes vendore, largimit të shërbimeve nga qytetarët dhe përshpejtimit të shpopullimit të vendit. Ne kundërshtojmë me vendosmëri shkrirjen e bashkive Rrogozhinë, Divjakë, Patos, Fushë-Arrëz, Memaliaj, Prrenjas, Belsh, Cërrik, Dimal, Poliçan, Klos, Libohovë, Këlcyrë, Maliq dhe Selenicë.
Çdo komunitet i prekur duhet të ketë të drejtën të dëgjohet përpara çdo vendimmarrjeje nga Kuvendi. Ky nuk është vetëm një standard demokratik, por një detyrim kushtetues. Kushtetuta përcakton qartë se kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to dhe pa u mbështetur në interesat e përbashkëta ekonomike, sociale e kulturore, si edhe në traditën historike të zonave përkatëse.
Shqipëria ka nevojë për një reformë që forcon pushtetin vendor, afron shërbimet me qytetarët dhe krijon mundësi reale zhvillimi për çdo komunitet. Nuk ka nevojë për një reformë që përqendron pushtetin në qendër, dobëson autonominë vendore dhe i trajton bashkitë si instrumente të interesit politik të radhës.
Çdo reformë administrativo-territoriale duhet të ndërtohet mbi dialogun, konsensusin dhe interesin publik. Ajo duhet të jetë një reformë afatgjatë, e qëndrueshme dhe në përputhje me standardet evropiane, jo një projekt politik i diktuar nga interesat elektorale të momentit.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtën e qytetarëve për t’u dëgjuar dhe për të pasur një qeverisje vendore që u shërben atyre, jo interesave politike të mazhorancës.
