Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho ka reaguar në lidhje me propozimin e kryeministrit Edi Rama për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, ku deklaron se kjo ide është shumë e rrezikshme pasi iu jep serbëve mundësinë për të diskutuar çështjet historike  të cilat janë mbyllur që prej vitit 1999 dhe 2008.

Capture

Nesho për Kosovapress, tha se Rama nuk duhet të kishte propozuar as draft për Asociacionin ndërsa komenton edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vëna nga Bashkimi Evropian.

Nesho, që shërbeu në OKB në vitet kur po ndodhnin ndryshimet historike në Kosovë 1997-2006, thotë se Rama “nuk ka aftësi intelektuale” të jetë i përfshirë në projekte të tilla dhe se me këto ide nuk po i shërben interesit kombëtar.

Ambasadori shqiptar thotë se Asociacioni është thjesht një tjetër mjet i presidentit serb Aleksandër Vuçiq për të mbajtur një konflikt artificial në veri të Kosovës.

Ideja tjetër e kryeministrit Edi Rama për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, për ambasadorin Nesho është e papranueshme. Sipas tij, këto janë ide që i shërbejnë vetëm projekteve serbo-ruse për ndryshime të reja gjeopolitike në Ballkan.

Nesho deklaron se presidenti serb Vuçiç dëshiron që të mbajë në pafundësi situatën nën tension në veri me shpresën që një ditë edhe çështja e Rusisë të rikthehet dhe të bëhen ndryshimet gjeopolitike që ëndërron.

Nesho ka folur edhe për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se janë të palogjikshme por Evropa “po zgjedh rrugën më të lehtë”, ku thekson se Perëndimi nuk është mësuar t’i thonë jo asnjëherë dhe shpesh shqiptarët kanë qenë qesharakë.

Ambasadori shqiptar deklaron se është e paimagjinueshme që Kosova të dalë kundër interesave të saj pas çdo kërkese nga ndërkombëtarët. Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë unik për t’i treguar botës së provokimet vijnë nga Serbia.

Nesho thekson se liderët e Kosovës e kanë dëshmuar që qëndrojnë besnik parimeve por nuk duhet të këmbëngulin në pafundësi. Sipas tij, Kurti mund të tregohet më elastik në disa kërkesa, siç është që kryetarët e Komunave të mos shkojnë në objektet e Kuvendeve Komunale./kosovapress

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re