Strategjia afatmesme e të ardhurave buxhetore e Ministrisë së Financave përfshin edhe sugjerimin e FMN për të marrë në konsideratë aplikimin e TVSH-së për disa shërbime financiare. Një propozim i tillë ka krijuar shqetësim tek aktorët e tregut, që e konsiderojnë si një kosto shtesë për publikun dhe lëvizje që do të kishte ndikim negativ në formalizimin e ekonomisë dhe në përfshirjen financiare.

Këtë vit, qeveria po shqyrton një paketë të re rregullimesh fiskale, që konsiston kryesisht në ide dhe sugjerime të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Një syresh ka trazuar disi sektorin financiar në vend dhe përfaqëson një ndryshim thelbësor nga praktikat e ndjekura deri tani në Shqipëri dhe në Bashkimin Europian.

Bëhet fjalë për të prekur parimin e pranuar përgjithësisht se për shërbimet financiare nuk aplikohet Tatim mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). FMN propozon që Shqipëria të fillojë të aplikojë TVSH për një pjesë të shërbimeve financiare, kryesisht për tarifat dhe komisionet, duke ruajtur përjashtimin për të ardhurat nga interesat.

Ligji i vitit 2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” e përjashton shumicën dërrmuese të produkteve dhe shërbimeve financiare nga aplikimi i TVSH-së. Ligji përcakton si furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja shërbimet e sigurimit dhe të risigurimit, përfshirë kryerjen e shërbimeve të ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime nga agjentët dhe brokerat e sigurimit; dhënia dhe negocimi i kredive, si dhe menaxhimi i kredive nga ana e kredidhënësit; negocimi, ose çdo marrëveshje tjetër në garantimin e kredive ose çdo sigurim tjetër për paratë, si dhe menaxhimi i garancive të kredive nga ana e kredidhënësit; transaksionet, përfshirë negocimin lidhur me veprimet e këmbimit, llogaritë e depozitave, llogaritë rrjedhëse, furnizimin e likuiditeteve nëpërmjet pagesave, transfertave, marrje-dhëniet e borxhit, çeqet dhe instrumentet e tjera të negociueshme, përveç shërbimit të mbledhjes së borxhit; transaksionet, përfshirë negocimin lidhur me valutën, kartëmonedhat apo monedhat e përdorura si mjete ligjore pagese (me përjashtim të monedhave dhe të kartëmonedhave për koleksion); transaksionet, përfshirë negocimin, por jo menaxhimin apo ruajtjen, në aksione kuota, pjesë në shoqëri apo shoqata, në obligacione dhe tituj të tjerë, përveç dokumenteve që vendosin titull mbi mallrat dhe të drejtat apo titujt; menaxhimi i fondeve të investimeve, në kuptim të ligjit për sipërmarrjet e investimeve kolektive.

Në mbështetje të këtij ligji, Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim në janar të vitit 2015, me qëllim detajimin e shërbimeve të përjashtuara, por edhe saktësimin e disa shërbimeve që nuk janë të përjashtuara nga TVSH.

Udhëzimi saktëson se nuk përjashtohen nga TVSH disa shërbime të caktuara, si për shembull, shërbimi i mbledhjes së borxheve, transaksionet me monedha për qëllime numizmatike, transaksionet që përfshijnë negocimin, menaxhimin apo ruajtjen e aksioneve, kuotave, pjesë në shoqëri apo shoqata, në obligacione dhe tituj të tjerë, si dhe titujt mbi mallrat dhe të drejtat, apo titujt mbi pasurinë e paluajtshme, si dhe qiradhënia e kasafortave, edhe nëse ky shërbim kryhet nga një bankë është i tatueshëm për TVSH-në.

Sidoqoftë, udhëzimi sqaron se lista nuk ka natyrë shteruese dhe se çdo shërbim tjetër, i cili nuk bën pjesë në shërbimet e përjashtuara të përcaktuara në ligj, klasifikohet si furnizim shërbimi i tatueshëm me TVSH.

Propozimi, TVSH në shërbimet financiare dhe të sigurimeve

Strategjia afatmesme e të ardhurave 2022-2026 që Ministria e Financave ka hedhur për konsultim me grupet e interesit, veç të tjerash, përfshin edhe diskutimin e ndryshimeve lidhur me shtrirjen e TVSH-së për shërbimet financiare.

Në strategji thuhet se shërbimet financiare të bankave dhe institucioneve të tjera financiare do të jenë objekt i analizës nga strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me qëllim që në periudhë afatmesme, të rishikohet skema e taksimit të tyre, ose në formën e “tarifës së transaksionit”, ose në formën e TVSH-së me tarifë të reduktuar apo atë standarde.

Sipas strategjisë, skema e taksimit që mund të aplikohet do të jetë në varësi të zhvillimeve ndërkombëtare në këtë fushë. Kjo lë të kuptohet se ndoshta një hap i tillë mund të ndërmerret vetëm nëse edhe Bashkimi Europian adopton një qasje të re lidhur me këtë çështje. Deri tani, Direktiva 2006/112/CE e Këshillit “Mbi sistemin e përbashkët të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, e ndryshuar, i trajton shërbimet financiare si furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja.

Pjesë e reformimit të skemës së TVSH-së për shërbimet financiare mund të jetë edhe tregu i sigurimeve. Produktet e sigurimit kanë qenë në skemën e TVSH-së deri në vitin 2014. Nga 1 Janari 2015 u trajtua si furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, në përputhje me direktivën e BE-së. Njëkohësisht, bazuar në përvojën ndërkombëtare, mbi tarifat e sigurimit u aplikua “taksa e primit të sigurimit” në masën 3% deri në vitin 2016, dhe më pas 10%, shkallë që vazhdon të jetë në fuqi edhe sot.

Tani, FMN sugjeron që sigurimi i jo-jetës, të futet në skemën e TVSH-së me tarifë standarde 20%. Përfshirja në skemën e TVSH-së do të shoqërohet me heqjen e “taksës së primit të sigurimit”, që do të përkthehej me një ndryshim të shkallës tatimore me 10 pikë përqindje.

Në strategji, Ministria e Financave shprehet se këto ndryshime do analizohen të lidhura me pasojat e tyre mbi konsumatorin dhe kategoritë e sigurimeve dhe, nëse shihet oportune, përmirësimi i skemës së taksimit, mund të implementohen në periudhë afatmesme.

Shoqata e Bankave: Nuk do ta mirëprisnim një hap të tillë

Burime nga Shoqata e Bankave shprehen për “Monitor” se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ende nuk e ka artikuluar zyrtarisht këtë propozim. Në muajin mars, ishin planifikuar tryeza dialogu me palët e interesit për të diskutuar rreth propozimeve të reja për ndryshime tatimore, përfshi edhe mundësinë e aplikimit të TVSH-së për shërbime të veçanta financiare. Megjithatë, për shkak të situatës së trazuar që shkaktoi shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe rritja e fortë e çmimeve të mallrave të konsumit, Ministria e Financave vendosi ta shtyjë diskutimin për një kohë më të qetë.

Burimet shprehen se një vendosje, qoftë edhe e pjesshme e TVSH-së, nuk do të ishte e mirëpritur nga bankat tregtare. Vendimi do të rriste kostot e veprimeve bankare për qytetarët dhe bizneset dhe do të kishte ndikim negativ në raport me qëllimin për formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e përdorimit të shërbimeve bankare.

Burimet nënvizojnë se në të gjithë praktikën e Bashkimit Europian dhe më gjerë shërbimet financiare janë të përjashtuara nga TVSH. Sipas tyre, propozimi i FMN-së u referohet praktikave të veçanta që nuk lidhen me ekonomi të zhvilluara, siç është për shembull Sri Lanka.

Vlerësimi i efekteve të zgjerimit të TVSH-së në shërbimet financiare është i vështirë, edhe në mungesë të një liste konkrete shërbimesh, për të cilat sugjerohet aplikimi i TVSH-së. Megjithatë, një vlerësim i përgjithshëm mund të bëhet duke marrë të mirëqenë se FMN sugjeron që TVSH-ja të aplikohet mbi të gjitha tarifat dhe komisionet fikse bankare.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar, sektori bankar realizoi të ardhura në zërin “gjoba dhe komisione” në vlerën e rreth 13.4 miliardë lekëve. Nëse këto të ardhura do të ngarkoheshin me TVSH në shkallën standarde prej 20%, kjo do të përkthehej në një faturë shtesë prej rreth 2.7 miliardë lekësh, ose rreth 22 milionë euro, faturë që do të paguhej nga individët dhe bizneset që përdorin shërbimet financiare.

Megjithatë, jo domosdoshmërisht një aplikim i TVSH-së do të reflektohej me një rritje prej 20% të çmimit final. Ndonëse nuk aplikojnë TVSH në shitje për shërbimet dhe produktet financiare, bankat paguajnë TVSH për shumicën e shërbimeve dhe produkteve që blejnë për qëllimet e aktivitetit të tyre.

Këtu përfshihen blerjet e shërbimeve dhe produkteve nga palët e treta, përfshi shërbimet dhe produktet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, shërbimet e sigurisë, shërbimet ligjore apo konsulenca e jashtme, etj. Supozohet se kostot e TVSH-së në blerje janë të reflektuara në strukturën e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bankare.

Në rastin që këto shërbime do të tatoheshin me TVSH në shitje, atëherë bankat do të kishin mundësinë të aplikonin kreditimin e pjesshëm të TVSH-së, duke zbritur TVSH-në në blerje. Rrjedhimisht, teorikisht efekti në çmim nuk do të ishte 20%, por më pak, duke zbritur atë TVSH që bankat sot nuk mund ta shkarkojnë.

Nga ana tjetër, aftësia për ta përcjellë të plotë efektin e zbatimit të TVSH-së mund të varet shumë nga konkurrenca dhe nga nevojat e biznesit. Për këtë arsye, llogaritja e efekteve të aplikimit të TVSH-së për shërbime historikisht të përjashtuara nga TVSH-ja është e vështirë.

Sigurimet: Të habitur, prisnim ulje tatimi për primet

Propozimi për një kthim të TVSH-së në sigurime ka qenë i papritur për industrinë siguruese. Të kontaktuar nga “Monitor”, drejtues të kësaj shoqate janë shprehur të habitur nga ky propozim.

Sipas tyre, pas konsultimeve mes shoqërive anëtare, kjo shoqatë do të dalë me një qëndrim zyrtar, por paraprakisht burimet shprehen se një propozimi bie në kundërshtim të plotë me frymën e direktivës së BE-së, por edhe me nevojën për të rritur depërtimin e produkteve të sigurimit në Shqipëri.

Madje, në vjeshtën e kaluar, Shoqata e Siguruesve pati dalë me një propozim zyrtar, ku kërkonte uljen e taksës mbi primin për produktet vullnetare të sigurimit jo-jetë, nga 10%, që është aktualisht, në nivelin 2%. Siguruesit e motivuan propozimin e tyre me nevojën për të lehtësuar konsumatorin e produkteve vullnetare dhe për të motivuar zgjerimin e mëtejshëm të këtij tregu.

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, në emër të kompanive të sigurimit, e konsideron thelbësore uljen e taksës mbi primin e sigurimeve vullnetare, si sigurimi i banesave, sigurimi vullnetar i individëve, sigurimi privat i shëndetit etj., duke marrë parasysh veçoritë unike të sigurimit, produktet dhe modelin e tij të biznesit, në mënyrë që siguruesit të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre kyç në mbrojtjen e klientëve policëmbajtës, dhe në vlerësimin, menaxhimin dhe reduktimin e rreziqeve.

Sipas siguruesve, ulja e taksës mbi primin për sigurimet vullnetare do të sillte një mbështetje për qytetarët, të cilët janë të pambrojtur nga rreziqet shëndetësore dhe materiale, duke lehtësuar indirekt dhe barrën fiskale që përballon shteti shqiptar, pasi këto shpenzime do të mbulohen nga shoqëritë e sigurimeve.

Praktikat e vendeve të tjera lidhur me aplikimin e një tatimi mbi primet janë të ndryshme, por në përgjithësi, një formë e tillë tatimi aplikohet, me një frymë më favorizuese për produktet e sigurimit vullnetar. Në Rajon, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk aplikojnë taksë mbi primet e sigurimit vullnetar.

Në vendet e BE-së, trajtimi fiskal i primeve ka ndryshime të mëdha mes vendeve. Nga 31 shtete anëtare të BE-së dhe të Zonës Ekonomike Europiane, 11 prej tyre nuk aplikojnë taksa mbi primet e sigurimeve vullnetare. Për 20 vendet që aplikojnë taksa mbi primet, shkalla e taksimit ka diferenca të mëdha. Disa vende i taksojnë primet në nivele të ngjashme me shkallën e TVSH-së dhe taksimi mund të arrijë në nivelin 19% deri në 24%.

Vende të tjera aplikojnë taksa shumë të ulëta (si Irlanda, Luksemburgu dhe Bullgaria), që lëvizin në intervalin mes 2% dhe 4%. Një grup i tretë vendesh aplikojnë taksa mbi primet të diferencuara në varësi të llojit të sigurimit. Për shembull, në Francë, taksa mbi primet aplikohet në intervalin mes 7% dhe 30%, ndërsa në Itali, në intervalin me 0.05% dhe 21.25%.

Propozimi i FMN-së, i reflektuar edhe në strategjinë e të ardhurave të Ministrisë së Financave, rekomandon kthimin e TVSH-së në masën standarde 20% në sigurimet e jo-jetës. Ky do të ishte një hap në drejtim të kundërt me atë që kërkojnë sot siguruesit.

Veç të tjerash, FMN nuk rekomandon thjesht një rritje të taksës mbi primet, taksë që ekziston në shumë vende të BE-së, por propozon përfshirjen e sigurimeve në skemën e TVSH-së, çka në pamje të parë do të binte ndesh me direktivën e BE-së për TVSH-në. Sipas ekspertëve, në BE sigurimet janë të përjashtuara nga TVSH-ja dhe deri më sot nuk ka ndonjë nismë që të sugjerojë vendosjen e TVSH-së në sigurime.

Në rastin e sigurimeve, vlerësimi i efekteve potenciale të aplikimit të TVSH-së mund të jetë disi më i thjeshtë. Aktualisht, ligji parashikon aplikimin e një takse mbi primet për sigurimet e jo-jetës, ndërsa FMN propozon vendosjen e TVSH-së vetëm për këtë segment të tregut, që në fakt është edhe më i madhi. Vitin e kaluar, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës raportuan prime të shkruara bruto në vlerën e 17.8 miliardë lekëve, ose 147 milionë eurove.

Primet taksohen me një taksë fikse në masën 10%, që përkthehet në rreth 1.78 miliardë lekë, ndërsa TVSH-ja 20% e aplikuar mbi të njëjtën vlerë primesh do të rezultonte rreth 3.56 miliardë lekë. Mbi këtë bazë, në pamje të parë efekti nga aplikimi i TVSH-së do të ishte 10%, ose rreth 1.78 miliardë lekë.

Megjithatë, edhe në këtë rast efekti neto teorikisht do të ishte më i vogël, sepse përfshirja në skemën e TVSH-së krijon gjithmonë mundësinë e kreditimit apo zbritjes së TVSH-së në blerje.

Mikrofinanca, problemi mund të jetë edhe më i madh

Një segment tjetër i tregut që do të prekej nga një vendim eventual për të aplikuar TVSH-në për shërbimet financiare do të ishte ai i institucioneve financiare jobanka, ku përfshihen institucionet e kreditimit, të mikrofinancës, lizingut, faktoringut, pagesave dhe shërbimeve të tjera financiare.

Vlera e të ardhurave të tyre nga tarifat dhe komisionet është e vështirë për t’u përcaktuar, por e sigurt është se shifrat janë të konsiderueshme dhe se këto institucione luajnë rol shumë të rëndësishëm, sidomos në ato segmente më pak të formalizuara të shoqërisë, që kanë edhe një akses më të pakët në shërbimet bankare.

Të pyetur nga “Monitor”, përfaqësues të sektorit të Mikrofinancës shprehen se ky sektor do të mbajë një qëndrim, pasi të ketë një qartësi nga Ministria e Financave lidhur me ato shërbime dhe produkte financiare për të cilat do të konsiderohet vendosja e TVSH-së. Megjithatë, në parim përfaqësuesit shprehen se aplikimi i TVSH-së do të ishte një kosto e shtuar për përfituesit e këtyre shërbimeve dhe produkteve.

Impakti do të ishte veçanërisht i rëndësishëm për mikrofinancën, nëse aplikimi i TVSH-së do të përfshinte eventualisht edhe komisionet e lidhura me produktet e kredisë. Veçanërisht institucionet e mikrofinancës konsumatore kanë peshë të lartë të komisioneve të disbursimit apo administrimit në strukturën e kostove totale të kredisë. Në këtë rast, vendosja e TVSH-së do të kishte një impakt direkt dhe të rëndësishëm në çmim.

Ndikim të konsiderueshëm, aplikimi i TVSH-së do të kishte edhe në shërbimet e pagesave. Në këtë segment, komisionet përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të institucioneve financiare përkatëse. Sektori i pagesave në vitet e fundit po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt shërbimeve dixhitale, edhe falë risive që ka sjellë ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”. Përfaqësues të këtyre subjekteve gjykojnë se aplikimi i TVSH-së do të kishte efekte frenuese në zgjerimin e këtij tregu dhe në një shfrytëzim më të mirë të potencialeve të tij.

Dilemat e BE-së me TVSH-në për shërbimet financiare

Legjislacioni fiskal në vendet e Bashkimit Europian i përjashton shërbimet financiare nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që prej vitit 1977. Megjithatë, ky përjashtim historikisht ka shtruar disa probleme për ofruesit e shërbimeve financiare. Ato janë biznese që blejnë produkte dhe shërbime nga biznese të tjera, që nuk janë të përjashtuara nga TVSH. Për këtë arsye, bankat dhe institucionet financiare akumulojnë dhe paguajnë TVSH në blerje.

Duke qenë se shumica dërrmuese e shërbimeve dhe produkteve financiare nuk tatohet me TVSH në shitje, për bankat është e pamundur që ta shkarkojnë apo ta zbresin TVSH-në që kanë paguar në blerje. Kjo përkthehet në kosto që, në masën përkatëse, reflektohet edhe në çmimin e produkteve dhe shërbimeve bankare.

Përjashtimi nga TVSH në shitje mund të shtrojë edhe probleme të konkurrencës mes grupeve bankare, duke qenë se shtete të ndryshme aplikojnë shkallë të ndryshme të TVSH-së. Në vitet e fundit, bankat po zgjerojnë më shumë shërbimet outsourcing, sidomos të lidhura me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, që zakonisht kërkojnë një ekspertizë të jashtme.

Kjo e shton barrën e TVSH-së për bankat dhe mund ta bëjë më të rëndësishëm adresimin e problemit. Kohë pas kohe, Komisioni Europian është përpjekur të gjejë mënyra për ta adresuar për këtë problem, por deri tani, pa ndonjë rezultat konkret.

Në vitin 2020, Komisioni Europian publikoi një dokument ku shtronte, edhe një herë, problemet e lidhura me përjashtimin e shërbimeve financiare nga TVSH dhe kërkonte mendime dhe sugjerime nga vendet anëtare rreth çështjes. Megjithatë, deri më sot, nga Komisioni nuk ka nisma zyrtare ligjore që propozojnë aplikimin, qoftë edhe të pjesshëm, të TVSH-së mbi këto shërbime./ Monitor

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re