Menaxheri i një qendre masazhi në rrugën “Abdyl Frashëri” në Tiranë është vënë në pranga bashkë me një klient, pasi përdorte ambientin për shfrytëzim prostitucioni.

Ndërsa 3 vajza janë vënë nën hetim për prostitucion. Pas një hetimi disamujor, në operacionin e koduar “Rekrutimi” u arrestua R. F., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Menaxheri rekrutonte femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte që t’u ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale. Ndërsa i arrestuari tjetër është një 30-vjeçar, klient i qendrës së masazhit.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit. Operacioni i koduar “Rekrutimi”, i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Goditet një rast i shfrytëzimit për prostitucion dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion. Vihet në pranga, për shfrytëzim për prostitucion dhe për mbajtje të qendrave të masazheve për shfrytëzim prostitucioni, menaxheri i një qendre masazhi.

Në pranga edhe një klient i qendrës së masazhit.Procedohen penalisht dhe 3 shtetase, për veprën penale “Prostitucioni”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.

Në bazë të provave të grumbulluara, pas një hetimi disamujor u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi R. F., 27 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale.

Gjithashtu, në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë një shtetas 30-vjeçar (klient i qendrës së masazhit) dhe u proceduan penalisht 3 punonjëse të qendrës së masazhit, për veprën penale “Prostitucioni”. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re