Kryedemokrati Lulzim Basha i rrethuar nga një numër i lartë mbështetësish në Burrel tha se shqiptarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre, që të çlirojnë sa më parë institucionet e kapura në vend.

Teksa i ftoi qytetarët në protestë, Luzim Basha tha se kjo qeveri ka rënë sepse është kapur duke vjedhur miliona euro.

Ai tha se gjatë tureve dhe takimeve nga jugu në veri ka parë një revoltë të madhe popullore dhe kjo do të arrijë kulmin të shtunën në orën 11:00 përballë kryeministrisë.

Kjo është java vendimtare për Matin për Shqipërinë, për fatin evropian të Shqipërisë. Faleminderit për këtë temperaturë vere në ditë shkurti. Kam parë kudo që kam qenë varfërinë, tradhtinë ku Edi Rama me bandën e hajdutëve kanë bërë ndaj çdo shqiptari.
Kam parë pamundësinë ekstreme të prindërve që nuk sigurojnë dot fëmijëve bukën e gojës. Kriminelët në vend qe të rrinë në burg, nxirren nga burgu nga kjo qeveri. Kjo është e përditshmja e kësaj qeverie.

Një palo-kryeministër, që rri sallave nuk di t’ia dijë për hallet tuaja. Sot ka shkuar thika në palcë. Kam ardhur sot në Mat jo vetëm për të parë si jeni. Unë me ju kam qenë dhe me ju do të jem. Bashkë me gjendjen e dëshpëruar ku ndodhet vendi kam parë një zgjim të madh të popullit.

Ky zgjim i shqiptarëve, i juaji këtu, jam i bindur se vjen në radhë të parë se njerëzit e kanë kuptuar se janë zot të fateve të tyre. Nuk ka qeveritar që t’ju heq ju bukën e fëmijëve. Qeveria është kapur duke vjedhur, Janë kapur duke vjedhur. Nisën të prishin shtëpitë për t’i dhënë 18 mln euro DH Albania, një kompanie e cila as nuk ekziston. Janë kapur duke vjedhur miliona euro në tendera me naftën janë kapur duke vjedhur zgjedhjet me Gjushër dhe Abdylaj në të gjithë Shqipërinë.

Me 16 shkurt do t’i japim fund kësaj qeverie bandite. Të shtunën miqtë e mi mos harroni se në anën tjetër të gardhit të policëve është kryehajduti që është kapur duke vjedhur lekët tuaja, paratë tuaja.

Kurrë populli pas 16 shkurtit nuk do të këtë frikë qeveritë, por qeveritë do ta kenë frikë atë. Të mos largohemi nga sheshi pa larguar sistemin e kalbur që iu vjedh çdo ditë. Një ditë e re do të agojë për shqiptarët.”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re