Skip to content

Protesta, Berisha: Rama vërsuli policinë me kërkesa direkte nga Beogradi për të mbrojtur Bashën

Sali Berisha ka folur sot nga Lezha për protestën e zhvilluar në 8 Janar. Berisha tha se policia ndërhyri me urdhër të kryeministrit Rama që kishte marrë “kërkesa direkte” nga Beogradi.

“Çfarë ndodhi në ato zhvillime? Edi Rama rrethoi Lul Bravën, pengun e tij, jo vetëm me 8 oficerë garde, me në krye komandanti i rojes së personaliteteve, por Rama i pajisi ata me të gjitha mjetet e dhunës të një policie agresive.

E shndërroi selinë e PD në një strofull krimi dhe kriminelësh të cilët vendin e kishin në qeli. Më 8 janar me një skenar të parapregatitur ai vërsuli me kërkesa direkte dhe nga Beogradi, të faktuara, hordhitë e narkobanditëve me uniformë kundër demokratëve paqësore.

Pse e thua këtë të Beogradit do thoni ju? E them unë se Baton Stanikshiqi është Mugosha i ri në PS e në Shqipëri.

Mugosha i ri e ka marrë, të faktuar, 6 herë në telefon Edi Ramën pas urdhrave që i vinin nga Beogradi, mbro Lul Bashën mbro Lul Bravën. Po po, kjo është e faktuar dhe ai nuk e mohoi dot kur ia përplasën përfaqësuesit tanë në bisedime. Një lojë kriminale e gjerë luhet kundër pluralizmit shqiptar, kundër jush, shqiptarëve e interesave të tyre”, tha Berisha.

Sipas liderit historik të PD, në protestën e 8 janarit, “qëllimi ishte t’i nxirrnim kriminelët nga shtëpia, të nxirrnim turpin dhe blindat nga shtëpia sic e thashë butësisht ta nxirrnim nga zyra pengun e turpshëm, njeriun më të degraduar të politikës shqiptare, njeriun që ka shndërruar, ka fut elementë të një kalbësire në PD, Lulzim Bravën”.