Anëtarësia e Këshillit Kombëtar propozoi dje skenarët e aksionit të opozitës që nga protestat e pandërprera, bllokimi i parlamentit dhe greva e urisë.

Burime brenda mbledhjes bëjnë me dije se protesta e deputetëve mund të shkojë deri në grevë urie. Berisha mësohet të ketë thënë se me kryeministrin Edi Rama nuk ka zgjedhje, duke thënë se ka krijuar mekanizma për manipulimin e votave dhe se në Kuvend kanë mbetur pa asnjë rol për shkak të tij.

“Ramës – është shprehur ish-kryeministri – do t’i bëjmë betejë në çdo skaj të vendit”. “Protesta e deputetëve mund të shkonte deri në grevë urie. Me Ramën zgjedhje nuk ka. Ai ka krijuar mekanizmat për manipulimin e votave. Në parlament na shndërroi si njerëzit pa asnjë rol. Nuk na lejonte asnjë lloj aktiviteti. Komisionet hetimore s’na i lejonte.

Përveç mandateve qe vjedh dhe nuk lejon rrotacion, ai do të zhvlerësojë deputetët. Ne do e vazhdojmë betejën ne kuvend. Ramës do t’i bëjmë betejë në çdo skaj të vendit. Do kemi burgosje, sakrifica, por s’kemi rrugë tjetër veç betejës. Nuk bëhemi shume pa nisur beteja. Kemi ndenjur 2 muaj 500 vetë dikur në bulevard. Akuzat ndaj meje janë bërë pasi reaguam në Kuvend. Ta kemi të qartë, nuk ka kthim pas deri në realizimin e qëllimit”, – është shprehur Berisha. Gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura, mësohet se deputetët kanë propozuar që rezoluta e përgatitur prej tyre të çohet në të gjitha ambasadat në vend.

“Të shtohet (apel bashkimi) në rezolutë, shoqëria civile, intelektualët, ish-të përndjekurit. Të shtohet goditja ndaj Berishës si ish-kryeministër dhe president si dhe Jamarbër Malltezit si anëtarë i Këshillit Kombëtar, që ka qenë zë i fortë publik duke denoncuar aferat korruptive të Qeverisë. T’i denoncojmë si goditje të sigurisë juridike në vend. Duhet ta kemi si dokument programatik dhe ta depozitojmë në çdo ambasadë dhe kancelari ndërkombëtare”, – mësohet të jetë shprehur deputeti demokrat Bujar Leskaj. Ndërsa deputeti tjetër, Edi Paloka, deklaroi: “Këshilli Kombëtar duhet të jetë në pararojë të aksionit. Ne duhet të jemi në ballë të takimeve. Nuk duhet të kemi iluzion se Rama nuk i ka trembur njerëzit me këto akte. Ndaj duhet të dalim ne, që të na mbështesin qytetarët. Siç tha Berisha, ne kemi bërë protesta dhe më pak njerëz dikur. 500 veta ishim. Na burgosën, si strategji e tyre për të na trembur. Kemi qene ne situata jo të lehta, por fituam zgjedhjet. Të dalim ne të parët, t’u japim njerëzve shpresë dhe guxim. Të takojmë strukturat sipas degëve ku jemi të caktuar. Aksioni opozitar ka vijuar në parlament dhe do vijojë”.

REZOLUTA

Në rezolutën e Këshillit Kombëtar të PD-së theksohet se opozita po trajtohet si armike, ndërkohë që institucionet e drejtësisë po godasin pakicën dhe jo zyrtarët e PS-së, të cilët nuk preken pa lejen e Edi Ramës. Në dokument theksohet se deputetëve të opozitës iu mohohen të drejtat parlamentare dhe kushtetuese. “Atyre, në shkelje flagrante të Kushtetutës nuk iu lejohet përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të të gjithë shqiptarëve, u mohohet e drejta kushtetuese e opozitës për të kontrolluar me Komisione Hetimore Parlamentar”, – thuhet në rezolutë. Në dokument demokratët e Berishës bëjnë thirrje për bashkimin në një front të vetëm dhe të nisin një betejë pa kthim me maxhorancën aktuale.

Sa u përket akuzave të ngritura nga SPAK ndaj Berishës në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, deputetët e opozitës shprehen në dokument, se këto akuza sipas tyre “janë një provë e pakundërshtueshme e kapjes totale të sistemit të drejtësisë nga ana e Edi Ramës dhe qëndrimit armiqësor të tij ndaj opozitës”. Po ashtu, pjesë e rezolutës së deputetëve është edhe dialogu KosovëSerbi, ku sipas opozitarëve, “qeveria socialiste dhe kryeministri i vendit, me qëndrimet e tyre kundrejt Kosovës, ndërhyrjet e tyre brutale në punët e brendshme të Kosovës për llogari të Beogradit, po minojnë rëndë interesin kombëtar, interesin e Kosovës”.

“PD i kërkon anëtarësisë, simpatizantëve dhe gjithë shqiptarëve të bashkohen në një front të vetëm të gatshëm për sakrifica në betejë pa kthim për t’u përballur me revanshin e fortë autokratik të qeverisë, si dhe për të mbrojtur vlerat dhe arritjet e shoqërisë shqiptare në këto 32 vite pluralizëm; Partia Demokratike shpreh besimin e saj të plotë se thirrjes së saj do t`i bashkohen të gjithë ata që besojnë në rëndësinë jetike të pluralizmit politik dhe opozitës së vërtetë si kusht vendimtar për të pasur një të ardhme europiane. PD nuk do të tërhiqet kurrë nga ky mision historik i saj.

Ne jemi të gatshëm të japim çdo kontribut dhe pranojmë çdo sakrificë për rivendosjen e pluralizmit politik, rendit demokratik, shtetit ligjor në Shqipëri. Ne kemi nevojë për kontributin e të gjithë atyre, pa asnjë dallim partiak, që vlerësojnë me të drejtë se demokracia është në rrezik dhe opozitarizmi është vlerë e pazëvendësueshme e shoqërive të lira demokratike”, – thuhet në rezolutën e PD-së.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re