Qindra shoferë kamionësh kundër masave anti-covid kanë zbarkuar në kryeqytetin e Zelandës së Re, Uellington.

Të frymëzuar nga protesta me kamionë në Kanada, kamionistët shëtitën nëpër rrugët e kryeqytetit dhe ndaluan pranë parlamentit të vendit.
Shoferët e kamionëve kishin stampuar banderola me thirrje pro lirisë dhe heqjes së detyrimit për t’u vaksinuar.

Më shumë se 1000 qytetarë të tjerë iu bashkuan protestës së kamionistëve edhe pse ishin duke ecur në këmbë, ata u ndalën në qendër të kryeqytetit për të dëgjuar fjalën e tyre gjatë protestës.
Një protestues tha se kishte ardhur për të kundërshtuar vaksinimin me detyrim edhe pse i kishte marrë të dyja dozat e vaksinës anti-covid.
“Nuk jam kundër vaksinimit, unë aktualisht jam vaksinuar. Jam kundër detyrimit të njerëzve, mendoj se është e turpshme të detyrosh dikë kur nuk do. Është shumë e qartë që vaksinimi nuk frenon përhapjen, pra nuk ekziston asnjë arsye të detyrosh të pavaksinuarit. Kjo është arsyeja kryesore pse jam këtu, edhe pse tashmë i kam marrë të dyja dozat.”

Një çift bashkëshortësh po ashtu kishin ardhur në protestë për vajzën e tyre si dhe për heqjen e masave anti-covid.
Billi: Thjesht dua kthimin e lirisë prapë shok.

Bashkëshortja: Lëreni vajzën tonë të qetë.

Billi: Po ne jemi shumë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë me vajzën tonë.

Në Zelandë e Re aktualisht vaksinimi është i detyrueshëm për njerëzit që punojnë në shëndetësi, polici, arsim dhe mbrojtje. Eventet sportive, frekuentimi i bareve dhe restoranteve dhe shërbesave fetare janë të ndaluara për të pavaksinuarit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re