Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, i ftuar në një studio televizive bëri thirrje që qytetarët të marrin pjesë në protestën e opozitës sot në orën 19:00.

Ai akuzoi qeverinë se po përfiton miliona euro nga kriza e karburantit, ndërkohë që familjet dhe bizneset përballen me çmime rekord. Bozdo theksoi se Partia Demokratike ka propozuar tre projektligje për uljen e barrës fiskale, të cilat u refuzuan, duke treguar mungesë vullneti politik për të ndihmuar qytetarët.

Bozdo shtoi se fitimet e pamerituara nga qeveria, vetëm gjatë muajit mars, arrijnë 5 milionë euro, duke u marrë drejtpërdrejt nga xhepat e shqiptarëve.

Deputeti shpjegoi se politika fiskale e qeverisë e vendos Shqipërinë ndër vendet me karburantin më të shtrenjtë në botë. Sipas tij, protestuesit sot duhet të reagojnë për të kërkuar drejtësi ekonomike dhe për të treguar pakënaqësinë ndaj arrogancës dhe indiferencës së qeverisë.

Pjesë nga deklarata:

Në seancën e djeshme ishte kuptimplotë në këtë drejtim. Kështu si thoni dhe ju, mendoj që ka qenë një seancë jo vetëm maratonë, por maratonë edhe nga propozimet që opozita ofroi. Fokusi i seancës së djeshme, le të themi, ishte sigurisht te temat e rëndësishme, por besoj se dominanca ka qenë te propozimet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, me tre projektligje të ndryshme për të lehtësuar sadopak çmimin e karburantit, i cili godet shumë ekonominë familjare, industrinë prodhuese dhe fermerët pra pothuajse në të gjithë sektorët.

Ajo që na ofroi qeveria ishte miratimi i një akti normativ që reduktonte akcizën vetëm kur tejkalohej niveli prej 220 lekë për litër çmimi i karburantit. Praktikisht, një tallje e vërtetë. Sa herë argumentonim që kjo gjë duhej, sepse Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon, madje edhe në Evropë, që nuk ka marrë masë për ta bërë jetën e popullatës dhe të ekonomisë së saj pak më të lehtë, na thuhej se kemi “bordin e transparencës”, çka është një tallje tjetër e madhe.

Pra, nuk mendoj që në seancën e djeshme munguan alternativat, modelet apo argumentet, por ajo që qartazi mungon është vullneti për të bërë diçka për shqiptarët. Praktikisht, Edi Rama është shumë i kënaqur me këtë status quo dhe, thotë ai, llogaritë e mia ecin, shqiptarët bëjnë çfarë të duan. Dhe në fakt, kështu është – llogaritë e qeverisë së tij ecin. Vetëm në muajin mars, ka një surplus prej 5 milionë euro, pikërisht shkaktuar nga çmimi i karburantit në buxhetin e shtetit. Asnjë nuk merr përsipër, ose nuk kthen mbrapsht shqiptarëve. Imagjinoni tani në çfarë niveli dhe standardi qeverisjeje po flasim.

Një temë tjetër shumë e rëndësishme, jo vetëm në seancën e djeshme, ishte raporti i komisionit të jashtëm të Parlamentit Europian. Jo vetëm ka pasur bllokime dhe protesta për rritje të vogla të çmimeve në vendet e tjera, jo më për 20-30 cent si në Shqipëri, por qeveritë përkatëse kanë reaguar me paketa masash, duke ulur TVSH-në dhe akcizën, siç ndodhi në Maqedoni.

Gjithsesi, karburanti atje ka qenë më i ulët edhe përpara krizës, ndërsa Shqipëria mbetet ndër vendet me karburantin më të shtrenjtë në botë. Sipas kalkulimeve tona, jemi në vendin e pestë ose gjashtë për çmimin më të lartë, pa marrë parasysh fuqinë blerëse; me fuqinë blerëse të llogaritur, jemi praktikisht vendi me karburantin më të shtrenjtë në botë, vetëm për shkak të strukturës së taksave që operon në Shqipëri.

Është e vërtetë çfarë thoni ju përveç faktit që nuk pranuan asnjë nga propozimet e Partisë Demokratike dhe të opozitës, që do të ulte çmimin me rreth 350 lekë të vjetra për litër. Kjo është një masë e konsiderueshme dhe e ndjeshme. Për më tepër, qeveria refuzon të kthejë edhe fitimet e pamerituara, të cilat, pas krizës COVID, vendet e Bashkimit Europian i kanë taksuar me nivele nga 50% deri në 90% për të mbrojtur qytetarët.

Pra, Shqipëria nuk e bën këtë dhe fiton mbi kurriz të qytetarëve. Kjo tregon një degradim moral dhe arrogancë ekstreme moskujdes për qytetarët dhe për vështirësitë e tyre. Nuk është thjesht çështje politike; kur fiton dikush në kurriz të atyre që varfërohen, kjo është moralisht e papranueshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re