Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ashpër pas përdorimit të gazit lotsjellës të skaduar në protestën e zhvilluar një ditë më parë nga opozita, para Kryeministrisë.

Në reagimin e bërë UGSH shpreh shqetësim për gjendjen e shkaktuar ndaj qyetarëve dhe gazetarëve, duke e cilësuar një akt të rëndë duke kërkuar reagimin e menjëhershëm.

USGH deklaron se gazetarëve iu është dhunuar e drejta, ndërsa bën thirrje për hetime dhe vendosjen e autorëve para përgjegjësisë.

REAGIMI:

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i tronditur nga episodet dhe imazhet e publikuara prej operatorëve dhe reporterëve të mediave, në mbyllje të protestës kombëtare të thirrur nga opozita politike e vendit, në mbrëmjen e sotme në bulevardin e madh të kryeqytetit.

Në sekuencat e publikuara, shfaqen reporterë dhe punonjës të mediave të përlotur dhe me vështirësi në frymëmarrje. Sipas reporterëve, kjo gjendje e rëndë e tyre është shkaktuar nga përdorimi i tymueseve lotsjellëse nga Policia e Shtetit, në përpjekjen për të shpërndarë masat e protestuesve.

Ky akt i rëndë ka ndodhur pikërisht dhe në pikat e vendosjes së punonjësve të mediave të cilët raportinin për mediat, protestën e opozitës.

UGSH denoncon këto lëndime të shkaktuara mbi reporterë dhe operatorë të mediave dhe punonjës të tjerë të mediave të pranishëm për shkak të detyrës.

U drejtohemi të gjithë kolegëve të lënduar dhe të prekur nga përdorimi i këtyre lëndëve, të denoncojnë seicilin rast dhe të dokumentojnë çdo episod apo incident, përmes publikimit të imazheve dhe autorëve, qofshin urdhërdhënës, qofshin zbatues.

UGSH kërkon reagimin e organizatave dhe monitoruesve të lirisë raportuese dhe lirive themelore ndaj këtyre episodeve të cilat janë të papranueshme dhe injorojnë demokracinë e shoqërisë dhe liritë e saj.

Policia e Shtetit, në këto shfaqje, ka kryer ndaj gazetarëve, veprime injoruese dhe ka dhunuar të drejtën e tyre, duke i shndërruar në reporterë që lotojnë për shkak të detyrës.

Ky cënim dhe lëndim në shëndetin e tyre është bërë prej mjeteve dhe duarve të pakontrolluara të individëve nën uniformë.

Ky rast duhet hetuar dhe përgjegjësit të vihen para përgjegjësisë ligjore!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re