Nesër në orën 18.00 pritet që opozita të marshojë me protestat në kryeqytet për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Fjalimet politike do të mungojnë këtë herë dhe marshimi do të nisë nga godina e qeverise për tu shtrirë në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.

Ende nuk është bërë me dije se cilat akse do të bllokojë opozita nesër në mbrëmje dhe PD ka zgjedhur të mos e tregojë skenarin e protestës duke u mjaftuar me shprehjen që në 7 tetor fjalën e kanë qytetarët.

Ajo çka dihet është se në shesh do të jenë edhe aleatët e PD-së si, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Agron Duka e Vangjel Dule, ndërkohë që Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi nuk do të marrin pjesë, pasi besojnë se kjo nuk është strategjia më e mirë kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Protesta e 7 tetorit u caktua pas burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji, por nisja e revoltës ishte paralajmëruar më herët nga Partia Demokratike e cila thotë se me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme.

Mbetet për tu parë nëse ky aksion i ri do ti sjellë apo jo opozitës fitoren përballë PS dhe Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re