Protesta studentore në Tiranë ka shtuar së fundi dhe zërat klerikale që, duke u solidarizuar me kërkesat e tyre, kërkojnë njëherësh që të shkojnë drejt dialogimit, si forma më efektive dhe më e shëndetshme për zgjidhjet e tyre.

Një ditë më parë ishte kreu i Kishës Katolike, Arqipeshkvi Gergo Frendo, ai që bëri thirrje për dialog, më pas dhe Vëllazëria Ungjillore, e së fundi është një imam, klerik musliman, i cili përcjellë të njëtin apel: nevojën për dialogim.

Nga Neki Kaloshi

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Sot u bënë dhjetë ditë nga protesta e studentëve në të gjitha universitetet publike, dhe jo vetëm, që kërkojnë t’u plotësohen kërkesat e tyre, të cilat i kanë përmbledhur në tetë pika.

Në thelbin e këtyre kërkesave qëndron vendosja në vendin e duhur e dinjitetit të studentit dhe lehtësimi, sa të jetë e mundur, nga qeveria dhe strukturat drejtuese për ta nxënë dijen dhe për t’u formuar profesionalisht, që t’i shërbejnë këtij kombi ku kanë lindur dhe janë rritur.

Nuk ka dyshim se dëshira dhe vullneti i tyre janë shpresëdhënës për mbarë shoqërinë shqiptare. Gjatë këtyre ditëve ka pasur shumë zëra që i kanë mbështetur, që i kanë përgëzuar, që janë solidarizuar me ta, që i kanë komplimentuar, duke filluar nga shoqëria civile, nga analistët nëpër ekrane televizive, nga forcat opozitare, nga partia në pushtet, si dhe nga vetë kreu i qeverisë.

Këtu bie në sy se strukturat drejtuese të universiteteve, dekanatet dhe rektorët e këtyre institucioneve, janë në heshtje, të qetë, të pazhurmshëm, sikur nuk po ndodh asgjë rreth tyre. Në këtë aspekt, çka konstatoj është se dekanët, rektorët dhe ministrja e Arsimit e shikojnë postin e tyre si privilegj, dhe jo si përgjegjësi. Nëse do ta kishin konsideruar përgjegjësi, dhe se pikërisht ata kanë përgjegjësi direkte për këtë situatë të krijuar, që në ditën e parë të protestës duhet të kishin dhënë dorëheqje të parevokueshme. E pikërisht ky duhet të ishte fillimi i reagimit normal të drejtuesve të përgjegjshëm, dhe jo fundi.

Tani më lejoni t’u drejtohem me disa këshilla studentëve qëndrestarë.

Të nderuar dhe shumë të respektuar studentë! Ju jeni ajka e kombit. Ju jeni pjesa më vitale e shoqërisë. Jeni e ardhmja e këtij kombi. Nuk ka dyshim se në mesin tuaj janë presidentët e ardhshëm, kryeministrat, ministrat e deputetët e ardhshëm. Andaj duhet të jeni të vetëdijshëm se të bashkuar mund të arrini gjithçka. Duhet ta dini se statusi i studentit që mbartni duhet t’i kapërcejë bindjet dhe përkatësitë tuaja politike. Të qenurit studentë duhet të prevalojë nga të qenurit pjesë e një strukture partiake apo organizate jofitimprurëse. Këto janë ditët tuaja më të arta, që mund t’i ktheni në një sukses për mbarë shoqërinë shqiptare. Prandaj duhet sa më parë të zgjidhni një përfaqësi dinjitoze, ku të jenë studentët më të spikatur nga fakultete të ndryshme, por që kanë kurajën dhe guximin për t’i mbrojtur me dinjitet të drejtat legjitime që ju takojnë të gjithëve. Kjo përfaqësi të shërbejë si urë lidhëse me qeverinë, por jo si vendimmarrëse. Vendimmarrja le të jetë kolegjiale mes të gjithëve, e në prani të të gjithëve, dhe sidomos, në mënyrë specifike, të atyre që i kanë kaluar netët në shesh.

Kjo është sfida juaj! 

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re