Në Shkup është zhvilluar një protestë e studentëve të Fakultetit të Juridikut, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe.

Protesta ka marrë mbështetje të gjerë nga studentë dhe qytetarë nga treva të ndryshme shqipfolëse. Studentë nga Kosova kanë mbërritur për t’u solidarizuar me kolegët e tyre në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pjesëmarrje është regjistruar edhe nga Tetova dhe Struga.

Në qendër të Shkupit janë parë dhjetëra flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrje në mbështetje të përdorimit të gjuhës shqipe në proceset e provimit dhe administratës publike. Protestuesit theksojnë se kërkesa e tyre bazohet në të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.

Atmosfera në protestë është shoqëruar me brohoritje dhe mesazhe solidarizimi, duke e kthyer tubimin në një shprehje më të gjerë të kërkesave për respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në vend.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re