Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, por më parë dhe kryeministri Rama, kanë dhënë versionin e tyre mbi atë çfarë po protestojnë studentët e disa fakulteteve, ku spikasin ata të Ndërtimit, e që kanë të bëjnë me tarifat për çdo provim të dhënë duke qenë ngelës.

Sipas Nikollës, studentët po trokasin në “derën e gabuar”, pasi janë universitetet që i caktojnë tarifat me autonominë e tyre.

“Nëse janë dakord, jam gati ta lëmë në tagër të autonomisë universitare vendimin për këtë pikë’. Por studentët nuk janë pajtuar duke njoftuar për bojkot nesër në të gjitha fakultetet.  Ndërkohë që në universitetet private tarifat lëviznin nga 100-500 euro për provimet e mbartura”, tha ministrja e Arsimit.

Gjithashtu sipas saj, nuk ka rritje tarifash ashtu siç pretendohet.

“Ka ardhur koha që të gjithë të mësojnë të vërtetën për tarifat në universitete nga 2009. Në 2009 tarifa ishte 12 mijë, në 2014 shkoi në 14 mijë. Tarifa maksimale ishte 30 mijë shkoi 45 mijë. Nga 2013-17, kemi rritje vetëm në 2014. Rritja e tarifës ka prekur shkencat e natyrës dhe gjuhët e huaja. Me propozimin e drejtuesve të universiteteve, kërkesa ka qenë për rritje edhe më të madhe për të mbushur gropën nga mbyllja e sistemit “part time”. Rritja ka qenë vetëm 5570 lekë në vit. Përgjigja ime për përgjysmim tarifash është njohja dhe respekti me ligjin. Vendimmarrja për tarifat është e universiteteve”, theksoi gruaja në krye të Arsimit.

Më herët, një përgjigje për atë që ndodh e dha dhe kryeministri Rama, në një replikë me një komentues në rrjete.

“A jeni ju dakord qe t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit per studentet ngeles?

Une per vete nuk jam dakord e para dhe e dyta, nuk ka asnje rritje tarifash qysh prej vitit 2014 (dhe tarifat nuk i vendos ministrja, po vete universiteti sa per dijeni, quhet autonomi universitare), po ka zhurme kazanesh, dizinformim me dashje apo llaf pas llafi, si edhe kembengulje nga nje pakice per te mos pranuar zbatimin e reformes qe e nxjerr universitetin nga bataku shumevjecar. Sa per fotot, une nuk kam ndermend t’i le, po ju mund te mos hyni ketu dhe keshtu shpetoni edhe nga fotot”, shkroi Rama në Facebook.  

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re