Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar pas protestës së studentëve të mjekësisë për të cilët është shprehur se po kundërshtojnë me të drejtë ligjin.

Në reagimin e saj, Xhixho shprehet se “sot studentët duhet të dëgjohen dhe të mbështeten, pasi nuk janë dëgjuar kur kanë thënë që nuk synojnë të largohen por duan të trajtohen me dinjitet në vendin e tyre”.

Sipas deputetes, “Shqipëria është i vetmi vend jashtë Afrikës për nivelin më të lartë të emigrimit të trurit, duke u renditur e 8-ta në rang global në vitin 2022”, ndërsa shton më tej se “Politikat e duhura arsimore, incentivat ekonomike, rritja e pagave dhe mundësitë e barabarta janë e vetmja mënyrë për t’i mbajtur të rinjtë në Shqipëri”.

Reagimi i plotë

Në mbështetje të plotë të protestës së studentëve të mjekësisë 🥼, të cilët kundërshtojnë me të drejtë ligjin që merr peng diplomën e tyre pa asnjë konsultim me ta.

Sot studentët duhet të dëgjohen dhe të mbështeten, pasi nuk janë dëgjuar kur kanë thënë që nuk synojnë të largohen por duan të trajtohen me dinjitet në vendin e tyre.🇦🇱

Për shkak të arrogancës së kësaj qeverie, duke mos njohur dhe adresuar dramën e emigracionit të trurit sot Shqipëria renditet në krah të vendeve afrikane për nivelin më të lartë të largimit të kapitalit njerëzor.

Sipas një raporti të FDI Intellegence, Shqipëria është i vetmi vend jashtë Afrikës për nivelin më të lartë të emigrimit të trurit, duke u renditur e 8-ta në rang global në vitin 2022.

Shpopullimi masiv që ka nisur e vijon prej vitesh nuk mund të ndalet me ligje arbitrare. Politikat e duhura arsimore, incentivat ekonomike, rritja e pagave dhe mundësitë e barabarta janë e vetmja mënyrë për t’i mbajtur të rinjtë në Shqipëri.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re