Vetëvendosje ashtu siç premtoi për dy orë mbajti një protestë dinjitoze, me muzikë e pa tensione, ku ju përgjigjën mijëra qytetarë në kundërshtim të idesë së presidentit Thaçi për “korrigjimit të kufirit” me Serbinë.

Me parullën në duar, “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”, protestës i prijnë deputetët e VV-së, Albin Kurti, Glauk Konjufca, Fatmir Kollçaku, Arbër Rexhaj etj, ndërsa qytetarët thërrisnin nga prapa “Hashim të duam në Dubravë”, “Jo pazare me troje kombëtare”, “UÇK, UÇK’, “Albin Kurti, Albin Kurti…”, “Me hajna nuk ka shtet”,etj.

Ndërsa vetëvendosësit e përkrahësit e saj nisën protestën siç paralajmëruan në ora 14:00, po në këtë kohë Thaçi nuk ndenji duarkryç, ku pa ndonjë paralajmërim shkoi për vizitë në Veri, konkretisht nga liqeni i Ujmanit i përcjellë nga Njësia Speciale, për të sfiduar protestën e VV-së, ku me vete kishte marrë edhe shefin e Intelegjencës, Shpend Maxhuni, drejtorin e policisë, Reshat Qalaj, ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Thaçi mbajti një fjalim nga Ujmani, ku e quajti një aset energjetik dhe bujqësor të Kosovës dhe bukuri që veç Zoti ka krijuar.

“Erdha të bëjë një gjiro lundrimi në këtë vend të bukur, të pakrahasueshëm, prandaj ishin emocione të veçanta t’i kalojë disa orë në Liqenin. Takova rastësisht edhe disa serbë, të cilët i falënderoj që më qerasën për kafe. Ne punojmë për një Kosove të gjithë qytetarëve dhe unë si president ju shërbej të gjithëve, dhe jam i knaqun që kaluam edhe një lloj pikniku. Pra është një vizitë krejt normale në mrekullitë e vendit tim që ja vlen t’i vizitojnë gjithë qytetarët e Kosovës. Unë e dua natyrën, bjeshkët, ecjen dhe lundrim, kështu që ishte një ditë e mrekullueshme”, tha Thaçi.

Kjo vizitë e tij ngjalli reagimin e Serbisë, me ç’rast se presidenti, Aleksandër Vuçiç u ankua te shefi i NATO-s.

Pas vizitës në Ujman, Thaçi u kthye në Prishtinë ku vazhdoi ta sfidoi protestën pasi shkoi në kazermën “Adem Jashari”, ku mbajti një fjalim para ushtarëve të Sigurisë së Kosovës, ku foli për ardhmërinë e kësaj force, dhe anëtarësimin në NATO dhe BE.

Ironizimi i Kurtit për vizitën e Thaçit në Ujman…

Ndërsa protestonte me parullën në dorë “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”, opozitari Kurti vizitën e Thaçit në Ujman e quajti shou të tij, dhe sipas tij ai bën gjërat kokë në vete, për ta shpëtuar kokën e vet.

“Gjest dëshpërues i një personi të vetmuar. Sot, populli është në shesh të Republikës, për ta mbrojtur Republikën. Gjestet e tij janë komike, por mund të ketë pasoja tragjike. Akrobacionet janë marrëveshje skenike e tij me Vuçiqin.. Le të bëhemi bashkë për republikën dhe le t’i themi mjaft këtij akrobati që po rrezikon edhe çlirimin dhe pavarësinë”, tha Kurti në protestë.

I pyetur për  arsyen e shkuarjes së presidentit në Ujman, kryevetëvendosësi ironizoi duke thënë se mbase Thaçi ka shkuar për të pirë ujë.

Kujtojmë se në protestë, fjalime kanë mbajtur deputetët e VV-së, Saranda Bogujevci, Liburn Aliu e Albin Kurti, një minator nga fshati Boletin i Mitrovicës, një grua që ka humbur burrin dhe dy djemtë në luftë (nga organizata “Thirrjet e Nënave”) ku folën për mbrojtjen e shtetit, Trepçën  e të pagjeturit, por jo vetëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re